Kuvendi mori kritika nga Komisioni Evropian

Kuvendi mori kritika nga Komisioni Evropian

Gazetare: Fatlume Dervishi

Polarizimi politik mes pushtetit dhe opozitës ka dëmtuar punën e Kuvendit, vlerëson Komisioni Evropian në raportin e progresit për vendin, kur vlerëson punën e ligjvënësit dhe të zgjedhurve të popullit, shkruan Alsat.

Sipas këtij institucioni evropian, procedurat e shkurtuara të miratimit të ligjeve kanë penguar debatin domethënës dhe gjithëpërfshirjen në procesit e përpilimit të ligjeve. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e KE-së.

Raporti i Komisionit Evropian

  • Puna e Kuvendit u dëmtua nga polarizimi politik, i cili vonoi miratimin e shumë dispozitave ligjore.
  • Është i nevojshëm planifikim dhe konsultim për të limituar përdorimin e procedurave të shpejta me qëllim që të lejohet shqyrtimi efektiv dhe konsultime për ligjet.
  • Pyetjet e deputetëve ndaj ministrave duhet të bëhet në bazë më të rregullt.
  • Propozimet për reforma të brendshme në Parlament për të cilat ka pasur marrëveshje gjatë raundit të tretë të Dialogut Zhan Mone në fillim të vitit 2020 duhet të zbatohen pa zvarritje të mëtejme.

Sipas VMRO-DPMNE-së, përgjegjësia për këto vërejtje të BE-së është e pushtetit.

Stefan Andonovski, VMRO-DPMNE

“Raporti e thekson moscaktimin disamujor të seancave të pyetjeve të deputetëve në Kuvend, gjë e cila tregon frikë të theksuar nga debati në Kuvend, nga mbikëqyrja, nga diskutimi pa ofendime dhe shpifje. Raporti vë theksin edhe te ligjet me flamur të rremë evropian me të cilin duan të shtynë ndryshime ligjore që u përshtaten LSDM-së dhe BDI-së, në 81 raste të tilla”, tha Stefan Andonovski, VMRO-DPMNE.

E ndërkohë, ministri Jashtëm Bujar Osmani thotë se duhet të gjendet konsensus mes pushtetit dhe opozitës për ligjet që kanë të bëjnë me eurointegrimet.

“Për fat të keq, Komisioni Evropian ka konstatuar se Kuvendi nuk është në nivël të detyrës pikërisht për shkak të polarizimit dhe përpjekjes për bllokim të Kuvendit. Përsëri nuk do   ëhy në aktualitetet ditore por sa u takon ligjeve që janë të lidhura me BE-në duhet të ulemi dhe të arrijmë marrëveshje e cila do t’I tejkalojë kufijtë e një mandati”, u shpreh Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Kjo nuk është hera e parë që Kuvendi kritikohet për arsye të ngjashme. Keqpërdorimi i procedurave të shkurtuara ku nuk jepet hapësira e nevojshme për debat cilësor në Kuvend, është ndër kritikat e KE-së që përsëritet nga viti në vit.

Kjo çështje, në paketë me filibastering dhe veprime të tjera që e dëmtojnë punën e ligjvënësit supozohej të ishin zgjidhur me procesin Zhan Mone, i cili praktikisht mund të konsiderohet i dështuar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button