Lëvizja antibixhoz dhe komuna e Tetovës, referendum për lojërat e fatit

Lëvizja antibixhoz dhe komuna e Tetovës, referendum për lojërat e fatit

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Lëvizja antibixhoz dhe komuna e Tetovës do të tentojnë që përmes referendumit të largojnë lojërat e fatit nga qyteti. Sipas tyre, iniciativa vjen pasi propozim ligji për lojërat e fatit nuk përmban kërkesat e lëvizjes. Jushi Emërllau nga kjo lëvizje paralajmëron se referendume të këtilla për largimin e lojërave të fatit do të ketë edhe në Komunat e tjera.

“U vendos që për një kohë shumë të shkurtër, pra deri në seancën e radhës të këshillit që kërkesa për referendum të kalojë në seancën e komunës, dhe më pastaj të shkoj në komisionin zgjedhor. Kjo mund të zgjas maksimalisht 40 ditë për tu organizuar në komunën e Tetovës. Pra nga dita kur do kalojë në këshill, brenda dyzetë ditësh do të realizohet sikur zgjedhje normale”, deklaroi Jushi Emërllahu, Lëvizja Antibixhoz.

Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha për Alsat se ndryshimet e deritanishme ishin në dëm të qytetarëve dhe në favor të kumarxhinjve, andaj kundërshtohen këto ndryshime të propozim ligjit për lojërat e fatit.

“Ne si Lëvizje BESA, por edhe si komunë e Tetovës, jemi kundër kësaj dukurie, andaj përfundimisht Maqedonia e veriut duhet të përcjell modelin e Kosovës dhe Shqipërisë, që kazinotë dhe lojërat e fatit të jenë vetëm online dhe me kushte të caktuara, siç janë hotelet e shtrenjta dhe investimet serioze. Ne në komunën e Tetovës vazhdojmë me të njëjtën nismë dhe jemi në koordinim me Lëvizjen Antibixhoz dhe bashkë do vazhdojmë në drejtim të vendimmarrjes që në Tetovë, kjo veprimtari të jetë jo kompatibile me pjesën rezidenciale, dhe pjesën në afërsi të objekteve me karakter publik”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Propozim ligji për lojërat e fatit është në procedurë parlamentare. Ndërkohë përkundër reagimeve të shumta në opinion, kryeministri Kovaçevski tha se propozimi bazohet në kriteret evropiane. Propozimi ligji ndodhet për miratim në procedurë të shpejtë parlamentare përkundër reagimeve se pas tij qëndrojnë interesa biznesore për përfitime të majme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button