Liderët shqiptarë: Biseduam për sfidat që e presin rajonin

Liderët shqiptarë: Biseduam për sfidat që e presin rajonin

Gazetar: Mefail Ismaili

Në takimin e mbrëmshëm në Tiranë, kryeministri shqiptar Edi Rama u ka mbajtur ligjëratë liderëve të partive politike shqiptare. Ligjërimi sipas kreut të integristëve Ahmeti kishte të bëjë për sfidat e përbashkëta të dyja vendeve.

“Pati një ligjërim ta them nga kryeministri i Shqipërisë për sfidat, për përpjekjet e përbashkëta që janë bërë bashkë me vendin tonë si dhe përpjekjet që duhet bërë bashkërisht tani pas përfundimit të skriningut drejtë hapjes së kapitullit të parë për anëtarësim në BE. Puna e lodhshme që është lënë pas krahëve. Parashikimet ishin se shumë më e vështirë do të jetë rruga tani, vështirësitë që na presin përpara”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kreu i ASH-së Arben Taravari tha se me Ramën kanë bërë analizë të përgjithshme të situatës në Shqipëri, Maqedoni e rajon.

“Gjithashtu e biseduam ardhmërinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë në drejtim të BE-së. Kemi parë se kemi kaluar sfida të përbashkëta, tani si dy shtete të NATO-s urojmë dhe shpresojmë, ishte konstatim i përbashkët që ti fillojmë dhe vazhdojmë negociatat për Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht ti kyçemi BE-së të gjithë partitë shqiptare që ishim këtu e përkrahim këtë ide dhe jemi kësaj vije”, u shpreh Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Mos pjesëmarrjen e Lëvizjes BESA, kreu i BDI-së Ahmeti e ka quajtur papjekuri politike. E shpejtë ishte kundërpërgjigjja e Bilall Kasamit.

“Kryetari i BDI-së nga Tirana paska komentuar Lëvizjen BESA dhe “takatin” politik të saj. Po kjo BESË, me këtë “takat”, të mposhti dy herë radhazi në kryeqendrën e shqiptarëve të RMV-së – Tetovën. Kësaj radhe nuk të shpëton dot askush nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme, kurdoherë që të mbahen ato!”, tha Bilall Kasami, kryetar i lëvizjes BESA.

Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nga partia e Mickoskit thonë se takimi në Tiranë nuk mund ta shpëtojë Kovaçevskin dhe LSD-në nga disfata në zgjedhjet e ardhshme.

“Heshtja e plotë nga ana e LSDM për takimin në Tiranë, është vetëm një dëshmi se ky takim është me kërkesë të Kovaçevskit për shpëtimin e karrierës së tij. Është evident paniku dhe druajtja e LSDM-së dhe BDI-së për mbijetimin e Qeverisë së tyre, për shkak se në mënyrë marramendëse po e humbin besimin e qytetarëve, andaj u duhej ky takim”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndërsa kryeministri Kovaçevski vlerëson se kryeministri Rama është personalitet me orientim euroatlantik dhe mik i Maqedonisë së Veriut.

“Porositë që dolën pas takimit në Tiranë janë pikërisht në drejtim të zhvillimit të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe republikës së Shqipërisë me të cilën mos harrojmë se bashkë i nisëm negociatat ditën e njëjtë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për takimin, kryeministri Edi Rama vetëm ka publikuar fotografi dhe ka shkruar “Gëzuar. Qoftë një vit i mbarë për shqiptarët kudo ku janë”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button