Lionel Mesi rikthehet në stërvitje, nuk dihet kur do të luajë
Futbollisti i Inter Majamit dhe tetë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Mesi është rikuperuar nga një dëmtim në kyçin e këmbës pas një mungese dy mujore. Argjentinasi u lëndua në finalen e “Kupa Amerika” më 14 korrik, në të cilën vendi i tij mundi Kolumbinë 1-0.
Trajneri i klubit amerikan Xherardo Martino ende nuk e di se kur do të jetë gati për sfidat e radhës. Mesi luajti ndeshjen e tij të fundit për Interin më 1 qershor. Kjo skuadër do të vizitojë Filadelfia-n të dielën dhe Martino nuk tha nëse Messi do ta fillojë ndeshjen, apo do të hyjë si zëvendësues.
Interi është në vendin e parë në Konferencën Lindore të Ligës “MLS” me 59 pikë të fituara, ndërsa Mesi ka shënuar 12 gola dhe 14 asistime në 12 ndeshje të luajtura këtë sezon. Ish-shokët e skuadrës së Messit te Barcelona, Serhio Buskets, Luis Suarez dhe Zhordi Alba, luajnë gjithashtu për Inter Majami.