Lista e këngëve të preferuara të mbretit Charles III në Apple Music
Lista e këngëve të preferuara të mbretit Charles III në Apple Music

Një program i ri muzikor në Apple Music Radio ka zbuluar një përzgjedhje këngësh të preferuara nga mbreti Charles III, duke përfshirë këngë të këngëtarëve si Bob Marley, Grace Jones, Kylie Minogue dhe Raye.
Programi, i titulluar “The King’s Music Room”, është incizuar në zyrën e tij në Pallatin Buckingham dhe është publikuar me rastin e Ditës së Komonuelthit, ka raportuar agjencia e lajmeve Associatd Press.
Sipas Charles, kjo është një “mënyrë interesante dhe inovative” për të festuar këtë ditë dhe për të ndarë këngët që e kanë shoqëruar në jetë.
Në të kaluarën, mbreti ka përmendur se i pëlqejnë edhe këngët e artistëve si The Three Degrees, Barbra Streisand, Edith Piaf, Leonard Cohen dhe Miriam Makeba.
“Muzika ka fuqinë të sjellë kujtime të bukura, të japë ngushëllim në momente trishtimi dhe të na bashkojë në gëzim”, dëgjohet duke thënë Charles në një fragment të publikuar nga Apple Music.
Një moment i veçantë i programit është kur Garda Mbretërore në oborrin e Pallatit Buckingham interpreton me instrumente klasiken e Bob Marley “Could You Be Loved”.
Programi do të transmetohet më 10 mars në Apple Music 1. Përzgjedhja përfshin muzikë nga i gjithë Komonuelthi dhe pasqyron një shije të larmishme, duke përfshirë zhanret disco, reggae dhe afrobeats.
“Komonuelthi ka sjellë një thesar të vërtetë të muzikës dhe artistëve të jashtëzakonshëm. Ky koleksion argëtues dhe eklektik është një kujtesë e bukur e kësaj pasurie krijuese”, ka thënë kompozitorja Errollyn Wallen, e cila mban titullin “Master of the King’s Music”.