LSDM-BDI, organet e partive vendosin për emrat e ministrave


LSDM dhe BDI mbledhin sot organet më të larta partiake për të konfirmuar ndarjen e resoreve sipas marrëveshjes për koalicion qeverisës, të vulosur një ditë më parë nga kryetarët e partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Partnerët e koalicionit nuk japin detaje për emrat që do të drejtojnë ministritë në kabinetin e ri qeveritar, duke thënë se ka ende gjëra për t’u sqaruar dhe se çdo informatë që qarkullon në opinion do të mbetet në kuadër të spekulimeve deri sa të konfirmohet nga organet partiake në mbledhjet e pasdites. Jozyrtarisht, LSDM bashkë me partitë e koalicionit “Mundemi” gjatë 4 viteve të ardhshme do të udhëheq me Shëndetësinë, Punët e Brendshme, ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Mbrojtjen, Drejtësinë, Bujqësinë, Pushtetin lokal dhe do të ketë zv/kryeministrinë për çështje evropiane. Ndërsa ndër emrat që përfliten për zyrtarë të ardhshëm janë: Venko Filipçe; Oliver Spasovski, Milla Carovska, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov;, Lupço Nikollovski; kreu i Partisë liberal-demokrate, Goran Milevski dhe sekretari i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha. Nga ana tjetër, BDI-së i është ndarë zv/kryeministri që do të jetë edhe ministri e sistemit politik, dikasteri i Financave, Ekonomisë, Punëve të Jashtme, Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ministria e Ambientit Jetësor. Përflitet se BDI këto dikastere do t’ua besojë ndër të tjera: Artan Grubit, Bujar Osmanit, Fatmir Besimit; Kreshnik Bekteshit dhe Naser Nuredini.  Ajo që dihet me saktësi është se kryeparlamentari nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi edhe më tej do të mbetet në krye të ligjvënësit.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button