“Luftë” kundër ndotjes së ajrit me mazut

Gazetare: Evi Shkopi

Qytetarët të mos përdorin lëndë djegëse që ndotin ajrin, është ky apeli i vazhdueshëm i institucioneve në vend, në një kohë kur për shkak të krizës energjetike vet shteti zgjidhjen për ngrohjen e institucioneve publike e sheh tek mazuti. Ministri i Mjedisit Jetësorë, Naser Nuredini, apelon që jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet të jenë më të kujdesshëm sa i përket efikasitetit energjetik. Sipas tij nuk është koha për sanksionim të qytetarëve, por për ndërgjegjësim të tyre, sepse duke përdorur  materiale kancerogjene për ngrohje fillimisht rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjes së tyre më pas të të tjerë.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se për fat të keq ne do të përdorim mazut për ngrohje dhe qymyr. Kjo është për fat të keq gjendja në të gjithë Evropën nuk është vetëm në vendin tonë. Për fat të keq edhe në Gjermani do të fillojnë të përdorin qymyr. Unë e kuptoj se këto janë kohë të vështira. Të gjithë e dimë këtë. Por apeloj deri tek të gjithë që të jemi më të ndërgjegjshëm se me çfarë ngrohemi, sa ngrohemi dhe të kujdesemi për efikasitet energjetik”, deklaroi Naser Nuredini-Ministër i Mjedisit Jetësorë

Nuredini edhe njëherë tha se ekzistojnë dyshime se po abuzohet shumë me çmimin e drurit për ngrohje duke theksuar se ka kërkuar nga institucionet përkatëse informacion se përse çmimi është aq i lartë.

“Ne e kemi hapur këtë temë në seancën e kaluar në Qeveri. Nëse në rregulloren e Ndërmarrjes Publike “ Pyjet e Maqedonisë” shkruan se çmimi i drurit për djegie duhet të jetë 3 mijë denarë, si shpjegohen çmimet e tilla në sektorin privat. Presim informacione nga inspektoratit dhe nga ndërmarrja publike, se përse çmimet janë kështu”, u shpreh  Naser Nuredini-Ministër i Mjedisit Jetësorë

Së shpejti do të përpilohet edhe ligji në të cilin parashikohet monitorimi i emetimit të gazrave në objektet industriale gjatë 24 orëve. Frika për ndotjen e ajrit sa vjen e rritet me uljen e temperaturave, sepse në një kohë kur çdo lëndë për ngrohej është shtrenjtuar institucionet druajnë se qytetarët do të zgjedhin alternativat më të lira dhe më pak cilësore, për ironi siç po bëjnë edhe vet institucionet në vend. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button