Luftimet në Sudan hyjnë në javën e dytë

Luftimet në Sudan hyjnë në javën e dytë

Luftimet në kryeqytetin e Sudanit kanë hyrë në javën e dytë, teksa është shkelur edhe një armëpushim i përkohshëm. Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga luftimet mes forcave të dy gjeneralëve rivalë.

Gjatë natës janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në kryeqytetin sudanez, Kartum, ndërsa në mëngjesin e së shtunës janë rikthyer luftimet me armë zjarri.

Dhuna shpërtheu më 15 prill kur nisën luftimet mes forcave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Këta dy ish-aleatë kishin marrë pushtetin përmes një grusht shteti më 2021, por më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.

Ushtria njoftoi më 21 prill se ishte pajtuar “për një armëpushim treditor” gjatë festës së Fitër Bajramit që shënon përfundimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Armëpushimi ishte kërkuar një ditë më herët nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Daglo tha përmes një deklarate tha se ai kishte “diskutuar për krizën aktuale” me Guterres dhe se biseda ishte “përqendruar në një armëpushim humanitar, rrugë të sigurta për evakuim dhe në mbrojtjen e punëtorëve të ndihmës”.

Po ashtu, gjatë javës ishin shpallur dy armëpushime 24-orëshe, por të cilat nuk janë respektuar.

Në Kartum, qytet prej 5 milionë banorësh, luftimet kanë bërë që civilët të strehohen brenda shtëpive të tyre. Luftimet po ashtu kanë bërë që civilët të mbesin pa energji elektrike dhe furnizimet me ushqime janë pakësuar.

Teksa luftimet po vazhdojnë, planet janë bërë për evakuimin e shtetasve të huaj, me Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë që kanë dislokuar forca në shtetet fqinje, teksa Bashkimi Evropian pritet të bëjë të njëjtën gjë.

Të premten, Departamenti amerikan i Shtetit tha se situata ishte shumë e rrezikshme për të nisur evakuimin e personelit të Ambasadës amerikane.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 413 persona janë vrarë dhe 3.551 janë plagosur në luftimet në mbarë Sudanin, por numri real i viktimave besohet se është më i lartë, pasi shumë të plagosur nuk kanë qasje në spitale.

Mospajtimet mes dy gjeneralëve janë të përqendruara në planin e integrimit të Forcave për Mbështetje të Shpejtë në ushtrinë e rregullt, që është një prej kushteve kyçe të marrëveshjes që synon rivendosjen e tranzicionit demokratik të Sudanit.

Ushtria kishte rrëzuar nga pushteti Omar al-Bashir në prill të vitit 2019, pas protestave masive kundër sundimit të tij me grusht të hekurt prej tri dekadash.

Në tetor të vitit 2021, Burhan dhe Daglo bashkuan forcat dhe rrëzuan Qeverinë civile të instaluar pas rrëzimit të Bashirit, duke penguar tranzicionin në sundim demokratik.

Daglo tani ka thënë se grusht shteti ishte “gabim” dhe dështoi që të sillte ndryshime, ndërkaq Burhan ka shprehur bindjen se ai ishte “i domosdoshëm” për të përfshirë më shumë grupe në politikë./rel/

LEXO EDHE:

Back to top button