Maqedonia i trajton refugjatët ukrainas si turistë

Maqedonia i trajton refugjatët ukrainas si turistë

Gazetar: Miki Trajkovski

Nëntë muaj pas fillimit të luftës, Maqedonia e Veriut ende i trajton refugjatët nga Ukraina, si turistë të zakonshëm. Shoqata e Juristëve të Rinj thotë se rreth 2000 persona nga Ukraina janë aktualisht të strehuar te ne dhe po përballen me vështirësi serioze në realizimin e të drejtave të tyre, shkruan Alsat.

Ndërsa vendet e BE-së aktivizuan të ashtuquajturën Direktivë të Mbrojtjes së Përkohshme, e cila është edhe në Ligjin tonë për Mbrojtjen Ndërkombëtare, institucionet ende nuk e kanë bërë këtë.

“Dhe praktikisht refugjatët nga Ukraina kanë mbetur vetëm për të gjetur zgjidhje lidhur me statusin e tyre. Sipas informacioneve tona, pothuajse të gjitha vendet e BE-së e kanë aktivizuar këtë direktivë. Vetëm Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë aktivizuar këtë lloj mbrojtjeje. Fatkeqësisht ne ende i trajtojmë ata si turistë”, tha Zoran Drangovski-Shoqata e Juristëve të Rinj.

Kjo do të thotë se këta njerëz nuk mund të punojnë, nuk mund të përdorin sigurimin tonë shëndetësor, apo të marrin arsim falas. Ata kanë vetëm tre muaj qëndrim të lirë tek ne, pas së cilës duhet të largohen. Nga fillimi i konfliktit e deri më tani, mbi 21 mijë qytetarë ukrainas kanë hyrë në vend, kryesisht përmes bashkimeve familjare, miqësie ose afariste me qytetarët e Maqedonisë.

“Shumica e njerëzve hyjnë në Maqedoninë e Veriut dhe i lënë familjet e tyre. Ata që kanë mbetur janë ose mbi 70 vjeç, ose nën 16 vjeç dhe gra…”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

“Kryqi i Kuq kujdeset plotësisht për ta në pjesën e ndihmës dhe mbështetjes, sa i përket nevojave humanitare për ta dhe të kujdesit shëndetësor. Ne jemi gati. Fondet i kemi të siguruara. Kemi njerëz të trajnuar për këtë”, theksoi Sait Saiti-Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq.

Vetëm një numër i vogël i refugjatëve, nga Ukraina vendosën të kërkojnë azil politik këtu./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button