Marrëveshja për Qeverinë, në dorë të Alternativës

Marrëveshja për Qeverinë, në dorë të Alternativës

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një marrëveshje preliminare mes grupeve të punës të LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët sot i dorëzohet Alternativës, për të parë nëse partia e Afrim Gashit, është pas ndarjes së re të resorëve dhe marrjes së disa posteve, është e pajtimit të qëndrojë në qeveri. Më herët gjatë ditës, nga Alternativa thanë se nuk kanë njohuri për përmbajtjen e marrëveshjes.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë komunikim me përfaqësues të ASH-së lidhur me interesin e tyre për t’u bërë pjesë e shumicës parlamentare kështu që mbetet në të ardhmen të kemi komunikim dhe të shohim se cilat do të jenë pozicionet e tyre dhe tonat në qeverinë e ardhshme, nëse eventualisht vendim për të qenë edhe më tutje për arsye se nuk kemi asgjë konkretë në tavolinë nuk mundemi të komentojmë”, tha Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.

Alsat pyeti përsëri, por palët nuk konfirmojnë nëse kryeministri Dimitar Kovaçevski tashmë ka biseduar me kreun e Alternativës Afrim Gashin dhe cila është përgjigja e këtij të fundit. Negociatat do të përfundojnë kur Alternativa të thotë fjalën e fundit. Burimet jozyrtare thonë se nëse Gashi nuk pajtohet të qëndrojë në pushtet me ndarjen e re të përgjegjësive, LSDM-ja dhe ASH-ja u rikthehen negociatave për të finalizuar një marrëveshje pa kuadrot e Alternativës në ekzekutiv.

Jo-zyrtarisht, siç ka informuar dhe më herët Alsat, negociatat u zhvilluan kryesisht për Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë. Në mënyrë plotësuese kërkohet edhe pozita e një zv/kryeministri, atë që mban për momentin Fatmir Bytyqi ose një zv/kryeministër të ri për investime të huaja dhe diasporë. Eventualisht, nëse Alternativa lëshon pushtetin, ASH-ja kërkon plus Ekologjinë ose Ministrinë e Shoqërisë Informatike.

ASH-ja, sipas marrëveshjes preliminare në negociata ka fituar dhe dy zv/ministra dhe disa nga drejtoritë më të rëndësishme, një pjesë të të cilave për momentin janë në dorë të Alternativës. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button