“MAYA”, BDI nuk e komenton investimin e dyshimtë!

“MAYA”, BDI nuk e komenton investimin e dyshimtë!

Gazetar: Adnan Qaili   

Kur duhet të dalin para kamerave me gërshërë në duar për të prerë shirita udhëheqësit e BDI-së, janë të parët, kurse kur duhet të arsyetojnë para opinionit investimet me prejardhje të dyshimta të parave, një ditë pas publikimit për fabrikën “MAYA” në Gari të Dibrës, askush nuk BDI nuk dëshiron të komentoj.

“Përshëndetje, zotëri Grubi kemi një pyetje të shkurtër? Jo, Jo! (Aktiviteti na fillon) Paratë e dyshimta ruse, nga investitorë të promovuar nga BDI, si e komentoni? Ditën e mirë!”

Institucioni i parë që dhanë “OK” për fillimin e investimit ishte Ministria e Ekonomisë, udhëhequr nga funksionarë të BDI-së. Valon Saraçini dhe Kreshnik Bekteshi dhanë licencat e nevojshme për ambalazhimin e ujit të çmuar nga burimi i fshatit Gari të Dibrës. Filloi si një paralajmërim për një brend të madhe uji që prodhohej tashmë në Kroaci, ndërsa këtu pritej të punësonin 100 njerëz nga një zonë e varfër dibrane.

Promovimin e investimit prej mbi 10 milionë eurosh e ka prezantuar para publikut BDI. Hapja e fabrikës në Gari u bë pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016 dhe i ftuari kryesor i ngjarjes dhe ai që preu shiritin së bashku me Dashmir Abdijen është Ali Ahmeti. Me ta ishte edhe avokati kroat i oligarkëve kroato-rus, Branimir  Kojiç, por partia e fshehu praninë e tij nga publiku.

Derisa Ali Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë po prisnin shiritin dhe po mblidhnin pikë politike, në 2016, Drejtoria e Policisë Financiare paralajmëroi se miliona euro kanë rrjedhur nga destinacione të dyshimta off-shore, me dyshimin se kapitali kryesor vjen nga Rusia. Policia Financiare përgatiti informacion dhe konkluzione dhe zyrtarisht i dorëzoi ato në shkurt të vitit 2018 pranë Prokurorisë për Krim të Organizuar, por kjo e fundit nuk inicioi asnjëherë hetime, duke e bllokuar lëndën në sirtarët e saj. Vetëm pas aktualizimit të situatës, nga interesimi i IRL-së dhe televizionit Alsat për këtë rast, Policia Financiare më datën 25 janar, përkatësisht dy ditë më parë dërgoi për herë të dytë informacion pranë Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Prokurorët tani do të duhet të hetojnë nëse paratë janë pastruar përmes kompanive off-shore nga Qiproja dhe ishujt e Virgjër Britanikë përmes fabrikës së ujit Maya.

“Të dyshuar janë dy pronarët e kompanisë ML Gari, shtetas kroat me pasaportë maqedonase dhe shtetas kroat. Pronarët e kompanisë maqedonase ML Gari janë Dashmir Abdija me origjinë nga fshati Pirok i Tetovës dhe Branimir Kojic, i cili me profesion është avokat dhe përfaqësues ligjor i oligarkëve rusë që jetojnë në ishullin Mali Losinj dhe bashkëpunojnë ngushtë më të afërmit e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Një prej tyre është në listën e sanksioneve të qeverisë britanike. Përveç kompanive të zonave off-shore, prokuroria po heton edhe për përfshirjen e një personi nga Ukraina”- IRL .

Pyetja që shtrohet është se sinjë pastiçier nga Mali Loshinj mund të mbledhë kaq shumë para. Nga ML Gari konfirmuan për Tv Alsat dhe IRL-në se paratë për investimin Maya vinin vërtet nga një firmë off-shore në pronësi të një oligarku të kontestueshëm kroat me lidhje ruse në Moskë. Tv Alsat sot kontaktoi edhe me Dashmir Abdijan, i cili nuk deshi të flas para kamerës, por tha se do të prononcohet me shkrim.

Strategjia shtetërore për tërheqjen e investimeve të huaja ka filluar më shumë se 12 vjet më parë, dhe është promovuar nga dyshja në pushtet VMRO DPMNE – BDI. Ata duhej të sillnin stabilitet, perspektivë evropiane dhe NATO dhe vende pune. Nga 100 vende pune të premtuara në Maya, mezi u realizuan 20./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button