“Maya” erdhi si investitor, por përmes kompanive Off-Shore lau para ruse!

“Maya” erdhi si investitor, por përmes kompanive Off-Shore lau para ruse!

Gazetar: Adnan Qaili

Burimi i ujit të fshatit Gari të Dibrës, deri para 7 vitesh përdorej nga banorët vetëm për pirje dhe larje, por nga 2016-ta kur u hap fabrika “MAYA”, dyshohet se aty u lanë edhe para nga shtete të huaja. Një investim prej mbi 10 milion euro, nga një familje pastiçerish tetovar imigrantë në Kroaci, ngriti alarmin e Inteligjencës Financiare të MPB vetëm një muaj pas hapjes së fabrikës se ka transaksione të dyshimta për pastrim të parave nga persona të kompanisë “ML-Gari” themeluese e fabrikës “MAYA”, firmë simotër e “Mali Loshinj” në ishullit kroat, të investitorit Dashmir Abdija me origjinë nga Piroku.

Në hapjen solemne atëherë morën pjesë e gjithë kryesia e BDI-së në krye me Ali Ahmetin, të cilët mburreshin për punësimin e ardhshëm të dibranëve.Por, nga 100 punësime të premtuara u realizuan vetëm 20 dhe uji asnjëherë nuk u distribuua në Lindjen e Mesme, Rusi e as Bjellorusi.

“Në procesin teknologjik që zhvillohet në fabrikë, uji mbushet dhe paketohet me linja dhe pajisje më bashkëkohore, rezultati final është uji natyral MAYA pa gaz dhe me gaz me shije dhe cilësi të lartë”, deklaroi Kujtim Deari, Përfaqësuesi i Kompanisë “ML-GARI”.

Policia Financiare, sipas hulumtimit të IRL-së në partneritet me televizionin Alsat, dosjen e dorëzoi dje në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila nisi procedurën para hetimore në 2016 lidhur me lëvizjen e parave dhe investimin në fabrikën për ambalazhimin e ujit “MAYA”. Prokuroria po heton për pastrimin e mundshëm të parave përmes kompanive off-shore të regjistruara në Qipro dhe Ishujt e Virgjër Britanikë.

“Ky rast ka të bëjë me shtetas kroat, maqedonas e ukrainas si dhe kompani të regjistruar në Qipro, Ishujt e Virgjër Britanik, për të cilët përmes një Bashkëpunimi ndërkombëtar policor me njësitë e inteligjencës financiare të vendeve të përfshira, kërkohen të dhëna dhe duhet kohë për të marrë përgjigje. Të dhënat e kërkuara në këtë rast janë të nevojshme në drejtim të sigurimit të provave të mjaftueshme që të ngritin shkallën e dyshimit dhe do të mundësonin hapjen e procedurës hetimore”, njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

E gjithë kjo skemë u legjitimua nga funksionarët e BDI-së. Në prill të 2012-ës, me vendim të Qeverisë së atëhershme, Abdija mori koncesionin për shfrytëzimin e ujit mineral për një periudhë 30 vjeçare të nënshkruar nga Ministri atëhershëm i Ekonomisë, Valon Saraçini nga BDI. Në vitin 2018 në një seancë të Qeverisë miratohet edhe koncesioni i dytë për shfrytëzimin e burimeve minerale për lokalitetin Zviçnicë në fshatin Gari. Dhe kjo do të zgjasë 30 vjet, dhe ministri aktual i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi nga BDI.

Në “Dokumentet e Pandorës” është zbuluara edhe kompania ML-Gari nga Maqedonia, e cila ka futur në tregun bankar para përmes kompanive off-shore të personave që bashkëpunojnë ngushtë me zyrtarë të rangut të lartë nga Rusia, njëri prej tyre, Mihajlo Perençeviq, djali i Predrag Perençeviqit, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe në listën e sanksioneve nga Britania e Madhe dhe Kanadaja për shkak të marrëdhënieve të tij biznesore me bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit rus Vladimir Putinit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button