Mbi 5 mijë viktima dhe mijëra të zhdukur nga tërmeti në Turqi e Siri

Mbi 5 mijë viktima dhe mijëra të zhdukur nga tërmeti në Turqi e Siri

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit po vazhdojnë nëpër vendbanimet e prekura nga tërmetet, ku janë shembur shumë ndërtesa, nën rrënojat e të cilave besohet të kenë mbetur të ngujuar shumë njerëz. Në një video që vjen nga Siria shihet se si ekipet e shpëtimit nxjerrin një vajzë të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Jinderis.

“Babi është këtu, mos ki frikë”
“Nour e dashur, fol me babin tënd, fol. Zoti e bekoftë. Ja ku është, fol me të.
Faleminderit Zotit për sigurinë tënde, e dashur”
“Zoti është i madh”.

Një tjetër djalë u nxor i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Jinderis të Sirisë.

“Prit aty Abboud, po vijmë. Prisni, do të arrijmë tek ju për vetëm një minutë”.

Teksa orët kalojnë, numri i personave që humbin jetën rritet, ndërsa ka prej atyre që “jeta i thërret” dhe një rast i tillë ka ndodhur më një foshnjë dy muajshe e cila u nxor e gjallë nga rrënojat pas 29 orësh.

Në një video tjetër shihet një vajzë e vogël nën rrënoja që qan dhe lutet për ndihmë, ndërsa në krah mban një bebe të vogël.

“Nuk po duroj dot më. Pse nuk po vijnë”

Teksa ekipet e shpëtimit po kërkojnë nën rrënoja në qytetin Nurdagi, të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin por edhe zhgënjimin me autoritetet për mos intervenimin në kohë.

“Motra ime ka katër fëmijë. Ajo ka edhe një kunatë, nipa dhe mbesa. Ata janë zhdukur të gjithë. Nëse shpëtuesit do të kishin ardhur dje, ata do të ishin shpëtuar, por nuk erdhën”, tha Nilufer Sarkioz, e mbijetuar.

“Këtu janë xhaxhai, gruaja dhe tre fëmijët e tij. Ka dy ditë që nuk po i gjejmë, nuk kemi dëgjuar asgjë, asnjë lajm. Ndërtesa është shembur dhe më pas ka rënë zjarri për 15 deri në 20 minuta. Asnjë zjarrfikës nuk erdhi as ekskavator. U përpoqëm t’i shpëtonim vetë”, tha Hava Topal, vajza e mbijetuar.

UNICEF tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti i fuqishëm.

Në kohën kur po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat e mbetur nën rrënoja, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj. Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis.

“Nga rrënojat kemi nxjerrë më shumë se 8000 njerëz, ndërsa janë shembur 5775 ndërtesa. Ka pasur 312 pasgoditje”, deklaroi Fuat Oktaj, Zv.president i Turqisë.

Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri, ku shumë njerëz mbetën të ngujuar nën rrënoja pas tërmetit vdekjeprurës të 6 shkurtit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button