Mbi 50% e të rriturve në botë pritet të jenë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2050

Mbi 50% e të rriturve në botë pritet të jenë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2050

Më shumë se gjysma e të rriturve dhe një e treta e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në mbarë botën parashikohet të jenë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2050.

BBC ka shkruar se ky përfundim vjen nga një studim i ri global, i publikuar në revistën The Lancet, i cili analizon të dhëna nga mbi 200 vende. Sipas ekspertëve, nivelet e obezitetit do të përshpejtohen me ritme alarmante gjatë dekadës së ardhshme, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se qeveritë ende kanë kohë për të ndërmarrë masa urgjente për të parandaluar atë që ata e përshkruajnë si “tragjedi të thellë”.

Një krizë globale në rritje

Në vitin 2021, pothuajse gjysma e popullsisë së rritur në botë – një miliard burra dhe 1.11 miliardë gra mbi 25 vjeç, ishin mbipeshë ose obezë. Sipas të dhënave, përqindja e të rriturve që jetojnë me këto kushte është dyfishuar që nga viti 1990.

Nëse këto trende vazhdojnë, deri në vitin 2050, përqindja globale e të rriturve mbipeshë ose obezë do të arrijë në 57.4% për burrat dhe 60.3% për gratë.

Në aspektin e numrave absolutë, vendet me popullsinë më të madhe të mbipeshë ose obezë do të jenë:

Kina – 627 milionë persona

India – 450 milionë persona

SHBA – 214 milionë persona

Por, për shkak të rritjes së popullsisë, pritet rritje edhe më e madhe në Afrikën Sub-Sahariane. Në këtë rajon, numri i të rriturve me mbipeshë ose obezë do të rritet me mbi 250%, duke arritur në 522 milionë deri në vitin 2050.

Nigeria veçohet si një nga vendet më të prekura nga kjo krizë, pasi numri i të rriturve me mbipeshë pritet të trefishohet – nga 36.6 milionë në vitin 2021 në 141 milionë në vitin 2050. Kjo do ta vendoste Nigerinë në vendin e katërt në botë për numrin e të rriturve me mbipeshë ose obezë.

Efektet e mundshme të ilaçeve për humbje peshe

Autorët e studimit kanë pranuar se ky hulumtim nuk merr parasysh ndikimin e mundshëm të medikamenteve të reja për humbjen e peshës, të cilat mund të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen.

Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se qeveritë duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme për të parandaluar një katastrofë për sistemet e kujdesit shëndetësor.

Një epidemi në rritje mes të rinjve

“[Qeveritë] mund të përdorin vlerësimet tona për të identifikuar popullatat më të prekura nga obeziteti, që kërkojnë ndërhyrje dhe trajtim urgjent, si dhe ato që janë kryesisht mbipeshë dhe duhet të jenë objektiv i strategjive parandaluese”, ka thënë profesoresha Emmanuela Gakidou, nga Instituti për Matjen e Shëndetit dhe Vlerësimin (IHME) në Universitetin e Washingtonit.

Ajo ka shtuar se epidemia globale e paprecedentë e mbipeshës dhe obezitetit është tragjedi e thellë dhe një dështim i madh shoqëror.

Doktoresha Jessica Kerr, bashkautore e raportit nga Murdoch Children’s Research Institute në Australi, ka cekur se situata është alarmante për të rinjtë.

“Po shohim rritje të shpejtë të normave të obezitetit, veçanërisht te të rinjtë. Por nëse veprojmë tani, ende mund të parandalojmë një tranzicion të plotë drejt obezitetit për fëmijët dhe adoleshentët”, ka thënë ajo.

Në periudhën 1990-2021, normat e obezitetit në grupmoshat e reja u dyfishuan:

Fëmijët dhe adoleshentët e rinj (nga 8.8% në 18.1%)

Të rinjtë nën 25 vjeç (nga 9.9% në 20.3%)

Nëse kjo tendencë vazhdon, deri në vitin 2050, një në tre të rinj do të jetë mbipeshë ose obez.

Kerr ka theksuar rëndësinë e ndërhyrjeve të menjëhershme dhe të shumëanshme, sidomos për adoleshentet vajza në Amerikën e Veriut, Australi, Oqeani, Afrikë të Veriut, Lindje të Mesme dhe Amerikë Latine, ku normat e obezitetit pritet të rriten ndjeshëm.

Ajo ka paralajmëruar se nëse nuk veprohet, “rrezikojmë të shohim përhapje të obezitetit ndër breza dhe një valë problemesh të rënda shëndetësore, me kosto të mëdha sociale dhe ekonomike për brezat e ardhshëm”.

LEXO EDHE:

Back to top button