Më në fund MPB-ja tregoi se si seanca e mbyllur përfundoi në YouTube

Më në fund MPB-ja tregoi se si seanca e mbyllur përfundoi në YouTube

Gazetar: Lluka Andreev

Pas thirrjes së tretë publike të kryeministrit Dimitar Kovaçevski drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy javë pas ngjarjes, policia arriti ta përcaktojë se si ka përfunduar seanca e mbyllur e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Shërbimeve të Sigurisë në YouTube. Në seancë, para deputetëve, personi i parë i ASK-së, Viktor Dimovski, dha llogari për rastin e dhënies së shtetësisë maqedonase për biznesmenin prorus Onishçenko. Megjithatë, kush qëndron pas transmetimit në YouTube apo nëse bëhet fjalë për dështim teknik, ende nuk janë bërë të ditura detaje në publik.

“Sa i përket raportit, raporti është përgatitur, është dorëzuar në Kuvend për atë që ka ndodhur dhe janë duke u ndërmarrë masat e mëtutjeshme”, tha Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Spasovski tha se përgjigja duhet të kërkohet në Kuvend, por nga institucioni ligjvënës thanë se ende nuk e kanë marrë raportin.

Shërbimet parlamentare theksuan se sapo t’i marrin detajet do të informojnë opinionin. As kryetari i Komisionit, deputeti i opozitës, Ljupço Prenxhov, nuk është i njohur me rezultatin e hetimeve.

Ministri i Punëve të Brendshme paraprakisht tha se raportin do ta dorëzojnë në Prokurorinë Publike, por edhe nga atje thonë se raporti ende nuk është pranuar.

Paraqitja e drejtorit të ASK-së Dimovski në komisionin parlamentar është ndërprerë pasi është konstatuar se një pjesë e fjalimit të tij, edhe pse e nënvizuar si konfidenciale, është transmetuar në YouTube. Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se referimi do të vazhdojë vetëm pasi ta përcaktojë Ministria e Punëve të Brendshme se si u transmetua drejtpërdrejt seanca me dyer të mbyllura. Ndërkohë, në një seancë të mbyllur, por kësaj radhe në Qeveri, është vendosur që biznesmenit Onishçenko t’i konfiskohet pasaporta maqedonase, i cili po ashtu është në listën e zezë të SHBA-ve. Qeveria tha se ai ka paraqitur dokument të rremë. Nga Qeveria së fundi njoftuan se kanë filluar aktivitetet për marrjen e shtetësisë dhe në seancën e ardhshme të qeverisë kryeministri do të kërkojë detaje se deri ku është procedura. Nga ASK-ja nuk ka informacion nëse ka përfunduar hetimi për lëshimin e pasaportës dhe nëse është përcaktuar se për çfarë arsye punonjësit e kanë bërë lëshimin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button