Gazetar: Avni Tahiri
Silvana Bliznoska është Infermiere patronazhi, e cila kryesisht mban rajonin e fshatrave të Dërvendit. Viziton mbi shtatë fshatra në këtë rajon dhe vetëm në janar të këtij viti ka vizituar mbi dhjetë foshnje dhe nëna të porsalindura duke i këshilluar se si duhet kujdesur për foshnjat.
Infermierja Bliznoska thotë se e njohin thuajse të gjithë në rajonin e Dërvendit pasi nuk ka shtëpi që nuk e ka vizituar të paktën njëherë.
“Aspak nuk kam problem me banorët, besoni se jam si pjesëtarë e familjes, ashtu me trajtojnë. Sigurisht ka shtëpi që i ke vizituar dy a tre herë? Jo dy a tre por edhe më shumë ndoshta edhe 10 apo 15 herë”, tha Silvana Bliznoska – Infermiere patronazhi.
Edhe pse numri i lindjeve sot është dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e kaluara, ajo vazhdon ta ushtrojë profesionin me të njëjtin përkushtim dhe dashuri.
“Si është ndjenja të punosh me fëmijë të porsalindur? Është ndjenjë e pa përshkruar. Unë e dua punën dhe këtë e kam edhe profesion jam akushere dhe i dua fëmijët”, u shpreh Silvana Bliznoska – Infermiere patronazhi.
Problemi më i madh i saj është udhëtimi me transportin publik i cili shpesh vonohet ose ndonjëherë edhe nuk qarkullon fare.
“Ky problem është tash më një kohë të gjatë, unë 19 vite që jam në këtë terren dhe gjithmonë ka problem me autobusët. Sot sa kohë pritet këtu? Po ja veç më 30 minuta jam këtu”, theksoi Silvana Bliznoska – Infermiere patronazhi.








