“Mediat”/ Partitë komentojnë “partizimin”

“Mediat”/ Partitë komentojnë “partizimin”

Gazetare: Fatlume Dervishi

Partitë që bënë marrëveshjet në heshtje, nuk bien dakord me akuzat për politizimin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuale, shkruan Alsat.

Sipas LSDM-së, koordinimet politike nuk nënkuptojnë politizim dhe mjafton që anëtarët pasi të zgjidhen, të bëjnë profesionalisht punën e tyre.

“Koordinimi në thelb nuk nënkupton qëndrim politik megjithatë në fund të fundit, partitë politike dhe ekzistenca e tyre është përmes marrëdhënieve politike. Në vlerësojmë se gjithmonë duhet të ketë bisedime dhe dialog dhe në bazë të dialogut të dalin edhe zgjidhjet. Sa u takon këtyre vendimeve, pas më shumë vitesh mosndryshim në Agjencinë e mediave kjo situatë duhet të zgjidhet përfundimisht dhe të ecim përpara”, tha Oliver Spasovski, LSDM.

E Majta thotë se kandidatët e propozuar për anëtarë janë po aq ushtarë partiakë sa ata të përbërjeve të kaluara.

“Edhe në këtë agjenci edhe në agjencitë dhe institucionet e tjera zgjedhjet duhet të bazohen në meritokraci, sigurisht se zgjedhjet bëhen edhe politikisht dhe kësaj nuk i ikim, por këta janë ushtarë partiakë dhe kjo është traditë edhe e VMRO-DPMNE-së edhe e LSDM-së. Edhe ata që ikën edhe këta janë ushtarë partiakë kështu që nuk ndryshon koncepti i partizimit por vetëm ndryshohen partitë”, u shpreh Borisllav Kërmov, E Majta.

Viktor Pavllovski, Sasho Stefanovski e Petar Gjurovski me propozim të VMRO-DPMNE-së, Cvetanka Minovska me propozim të Znam-it, Gordana Manojllova me propozim të LSDM-së, Afrona Verzivolli dhe Nafije Selmani me propozim të koalicioni VLEN, janë shtatë kandidatët e propozuar për anëtarë të këshillit të Agjencisë së Mediave, të cilët morën mbështetjen në komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime. Propozimi duhet të votohet edhe në plenare.

Dy kandidatët më të kontestuar që nga seanca e parë kur u dëgjuan biografitë e tyre, ishin pikërisht dy kandidatet e propozuara nga koalicioni VLEN, Afrona Verzivolli dhe Nafije Selmani. E para ishte emëruar si kryerevizore e fondeve IPA por më pas u shkarkua nga Qeveria për shkak se nuk posedonte certifikatë.

Ndërsa kandidatja Nafije Selmani në zgjedhjet e 24 majit, ishte kandidate për deputete në zonën e parë zgjedhore, e radhitur e gjashta në listën e koalicionit VLEN. Selmani gjithashtu ka qenë kandidate e Lëvizjes Besa për kryetare të Qytetit të Shkupit, por edhe këshilltare në komunën e Çairit, nga radhët e Alternativës.

Agjencia e Mediave është me përbërjen e vjetër, edhe pse ndryshimi duhej të bëhej që në vitin 2018. Procedura e nisur disa herë për anëtarë të rinj kishte dështuar për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button