Medvedev: Shtetet e Bashkuara, përmes Kievit, janë në luftë me Rusinë

Medvedev: Shtetet e Bashkuara, përmes Kievit, janë në luftë me Rusinë

Gazetar: Lluka Andreev

Disa civilë, duke përfshirë fëmijë, u vranë pasi një kolonë humanitare u sulmua gjatë evakuimit, thanë zyrtarët ukrainas. Ngjarja ka ndodhur fundjavën e kaluar në një fshat afër Harkovit, i cili nga sot nuk është më nën kontrollin e ushtrisë ruse.

“Fatkeqësisht, disa prej tyre ishin fëmijë. Ata u qëlluan me armë automatike, dhe një makinë u godit nga një top, ndoshta nga një tank ose mjet luftarak këmbësorie”, thotë një komandant ukrainas.

Ndërkohë, forcat ushtarake pro-ruse në Donjeck thonë se tani i kanë duart e lira për ta marrë nën kontroll fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin e Mariupolit, pasi të gjithë civilët janë evakuuar. Pikërisht nga strehimoret, një toger ukrainas bëri thirrje për evakuimin e menjëhershëm të ushtarëve të plagosur.

“Kemi humbje të mëdha. Çdo ditë mund të jetë e fundit për ne. Ne kemi burime jashtëzakonisht të kufizuara. Në rrethana të tilla, kjo nënkupton vdekjen tonë, ose kapjen nga armiku, që edhe kjo do të thotë vdekje”, u shpreh Ilija Samoilenko – toger në batalionin Azov.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterresh ka thënë se shanset për ndërprerje të luftimeve dhe armëpushim të shpejtë janë të pakta, dhe se të gjitha përpjekjet diplomatike janë fokusuar në evakuimin e suksesshëm të civilëve.

“Unë mendoj se bashkëpunimi me autoritetet e Moskës dhe të Kievit për të lehtësuar evakuimin e civilëve nga Azovstal në Mariupol, dhe të tjerë në Mariupol tregon se ka ende një mundësi në diplomaci për të shpëtuar jetë dhe për ta përmirësuar situatën dramatike humanitare”, theksoi Antonio Guterresh – Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Edhe Uashingtoni zyrtar mendon se “kjo do të jetë një luftë e gjatë”.

Zyrtarët amerikanë kanë miratuar 40 miliardë dollarë të tjera ndihmë për Ukrainën, pas së cilës njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit, Dimitri Medvedev, tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Kievit, po bëjnë luftë me Rusinë, por se Uashingtoni do të shkatërrohet ekonomikisht, e jo Moska. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button