Mexhiti: Mandatari i ri të respektojë marrëveshjen për kryeministrin shqiptar

Adrian Kerimi

Zonat fituese të BDI-së në zgjedhjet lokale, do të kërkojnë përfaqësim adekuat në kabinetin e ri qeveritar. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti thotë se është i kënaqur me përfaqësimin e Shkupit në ekzekutiv, por sipas tij mundet edhe më mirë. Mexhiti shton se për efikasitetin e kabinetit qeveritar do të diskutohet në organet e partisë.

“Në aspekt të numrave dhe aspektin kuantitativ edhe tani përfshirja e Shkupit nuk është keq në kabinetin qeveritar, por çdoherë mundet edhe më mirë. Brenda partisë do të ketë debat edhe për aspektin kuantitativ edhe atë kualitativ për përfaqësimin më të mirë të BDI-së në Qeveri”, tha Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

Deri tani nuk është diskutuar për ndryshimin e resorëve të tjerë. Përveç Shoqërisë Informatike me Bujqësinë, BDI pret që pas vendimit final për datën e negociatave, të bisedojë edhe për fatin e përfaqësuesve në kabinetin qeveritar dhe ndryshimin e mundshëm të resorëve. Mexhiti pret që mandatari i ri ta respektojë marrëveshjen për kryeministrin shqiptar.

“Nuk kemi pas kohë për t’u futur në resorë konkret, në analizën e punës së tyre dhe nëse ka nevojë për ndryshimin e tyre. Duhet të shohim se si do të përfundon ky proces. Një ndër pikat kryesore në marrëveshjen BDI-LSDM veç tjerave segmente është edhe kryeministri i parë shqiptar dhe nuk kam dilemë se kjo do të jetë temë edhe me mandatarin e ardhshëm”, u shpreh Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

Në zgjedhjet lokale të tetorit, BDI fitoi 11 komuna. Rezultat i thellë ndaj oponentëve u shënua në Shkup, përkatësisht Çair dhe Saraj, Likovë, Kumanovë, Strugë, Kërçovë dhe komunat rurale të Pollogut, ndërsa humbi bastionin historik Tetovën, por dhe Gostivarin. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button