Mexhiti reagon për këngën e Grubit: Keqpërdorim dhe paturpësi

Mexhiti reagon për këngën e Grubit: Keqpërdorim dhe paturpësi

Gazetare: Fatlume Dervishi

Video-ja ironizuese në facebook e publikuar fillimisht nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi dhe më vonë e shpërndarë nga shumë profile, nxiti edhe reagimin e nënkryetarit të BDI-së Izet Mexhiti. Mexhiti e quan keqpërdorim, paturpësi dhe jokorrektësi veprimin e Grubit, duke bërë thirrje që partia e tij të çlirohet nga uzurpatorët dhe të paaftët.

“Të inçizosh Ali Ahmetin duke kënduar dhe pastaj ta publikosh të njëjtin inçizim, për të defokusuar opinionin prej problemit të vërtetë, është keqpërdorim i paturpshëm i figurës së tij… Të inçizosh Ali Ahmetin dhe të ruash këto video për t’i shfrytëzuar kur të konvenon ty është jokorrekte dhe duket se nuk është hera e parë që po ndodh. BDI patjetër duhet të çlirohet nga uzurpatorët, mercenarët dhe të paaftët!”, deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

As Grubi vetë dhe as kabineti i tij deri tani nuk kanë reaguar ndaj këtij shkrimi të Mexhitit.

Materiali video në të cilin Ahmeti shihet dhe dëgjohet duke kënduar në hapësirat e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive u interpretua si një reagim ndaj takimit të parë të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” me qytetarët në Studeniçan. Nga atje ata kërkuan shkarkimin e ministrave nga radhët e partisë së tyre, siç thonë, për dështimin në realizimin e projekteve të premtuara para qytetarëve shqiptarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button