Mickoski: S’ka nevojë për ligje të reja

Mickoski: S'ka nevojë për ligje të reja

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski vlerëson se nëse ka vullnet, pushteti mund të hetojë pronat e fituara në mënyrë kriminale, edhe pa ligj të posaçëm për prejardhjen e pronës.

“Dogana, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e të Ardhura Publike, vetëm të hulumtojnë pronarët e veturave luksoze, sa të ardhura paraqesin dhe nga i kanë paratë për këto vetura. E dyta, kadastra dhe DAP, të shohim kush janë pronarët e apartamenteve luksoze dhe në DAP të kontrollojmë sa tatim paguajnë. Nuk ka nevojë për ligje. Ne kemi ligj të vlefshëm që mund ta hetojë këtë. Të mos humbin kohë në procedura parlamentare, defokusime, ndryshim temash, e kështu me radhë, me veting e gjëra të tjera…”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas kreut të opozitës me këtë pushtet, krimi dhe korrupsioni nuk mund të ulen por vetëm të thellohen. Mickoski komentoi edhe ekipin e arritur nga SHBA-ja për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë nga ish dhe funksionarë aktual.

“Secili ekip i hetuesve duhet fillimisht t’ia nisin nga qeveria. Prandaj unë them, sa më shpejt që kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare me njerëz të rinj në krye të këtyre institucioneve aq më shpejt do të vijmë deri te zgjidhja për krimin dhe korrupsionin”, shtoi ai.

Problemi me korrupsionin në rritje erdhi në vëmendje pasi ambasadorja e SHBA-së Angella Aleger kritikoi vendin dhe njoftoi se një ekip ekspertësh nga vendi i saj kanë zbarkuar në Shkup për një vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar nga e kaluara dhe të tanishëm. Ajo shtoi se sektori i drejtësisë në vend ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button