Microsoft: Hakerët iranianë vënë në shënjestër zgjedhjet amerikane dhe organet e medias

Microsoft: Hakerët iranianë vënë në shënjestër zgjedhjet amerikane dhe organet e medias

Një grup hakerësh iranianë po vëzhgon në mënyrë aktive faqet e internetit të lidhura me zgjedhjet e nëntorit dhe mediat amerikane. Aktivitetet e hakerëve sugjerojnë se ata po përgatiten për më shumë “operacione të ndikimit të drejtpërdrejtë”, sipas një shkrimi në blogun e kompanisë Microsoft të botuar të mërkurën.

Hakerët, të cilëve firma Microsoft u ka vënë nofkën “Cotton Sandstorm”, janë të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Sipas kompanisë amerikane, ata kanë ndërmarrë operacione kibernetike të kufizuara zbulimi duke vënë në shënjestër shumë faqe në internet të lidhura me zgjedhjet amerikane të disa shteteve fushëbetejë.

Në muajin maj, hakerët skanuan gjithashtu një media të paidentifikuar amerikane për të hulumtuar dobësitë e saj.

Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Nënpresidentja Kamala Harris, konkurron përballë rivalit republikan Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, për të cilat sondazhet sugjerojnë se është një garë jashtëzakonisht e ngushtë.

“Cotton Sandstorm” do të rrisë aktivitetin e saj me afrimin e zgjedhjeve, duke patur parasysh ritmin e veprimeve të grupit dhe historinë e ndërhyrjeve në zgjedhje, thuhet në hulumtimet e firmës Microsoft. Kjo është veçanërisht shqetësuese për shkak të përpjekjeve të kaluara të grupit, thotë firma amerikane.

Një zëdhënës i misionit iranian në Kombet e Bashkuara tha se: “Akuza të tilla janë tërësisht të pabaza dhe krejtësisht të papranueshme. Irani nuk ka asnjë motiv dhe as synim për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane”.

Në vitin 2020, grupi “Cotton Sandstorm” ndërmori një operacion kibernetik për të ushtruar ndikim në prag të zgjedhjeve presidenciale të atij viti, sipas zyrtarëve amerikanë.

Duke u identifikuar si gjoja “Proud Boys”, një organizatë e ekstremit të djathtë, hakerët u dërguan banorëve të Floridës mijëra emaile, duke i kërcënuar ata që të votonin për kandidatin Trump.

Grupi publikoi gjithashtu një video në mediat sociale, me pretendimin se vinte nga hakerë aktivistë, ku i tregonin ata duke hetuar një sistem zgjedhor. Ndërsa kjo përpjekje iraniane nuk ndikoi në sistemet individuale të votimit, synimi ishte mbjellja e kaosit, konfuzionit dhe dyshimeve, thanë në atë kohë zyrtarët amerikanë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020, grupi i hakerëve “Cotton Sandstorm” ndërmori gjithashtu një operacion tjetër kundër Shteteve të Bashkuara duke nxitur dhunën kundër zyrtarëve zgjedhorë, të cilët kishin hedhur poshtë pretendimet për mashtrime zgjedhore në shkallë të gjerë, tha firma Microsoft.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, e cila po koordinon përpjekjet federale për të mbrojtur zgjedhjet nga ndikimi i huaj, iu referua një deklarate të kohëve të fundit ku thuhet se: “Aktorët e huaj, veçanërisht Rusia, Irani dhe Kina, mbeten të vendosur për të përçarë popullin amerikan dhe për të minuar besimin e tyre tek sistemi demokratik në vend”.

LEXO EDHE:

Back to top button