Mijallkov drejt shpëtimit nga “fundosja” e Titanikut

Mijallkov drejt shpëtimit nga “fundosja” e Titanikut

Gazetar: Ardit Ramadani 

Me ose pa qëllim, lëshimet teknike dhe kacafytja e mëpasme mes Gjykatës Penale në Shkup dhe Burgut të Strugës çojnë në drejtim të sigurt drejt shpëtimit të ish shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov nga akuza për të në rastin “Titanik 2”. Vepra e tij në këtë lëndë vjetërsohet për 4 muaj ndërsa ai sot nuk u soll nga Burgu i Strugës në seancë gjyqësore për këtë, nga ky institucion arsyetohen që nuk e kanë sjellë në seancë pasi që sipas tyre, ftesa e Gjykatës ka qenë për me 12 dhjetor dhe jo 22 dhjetor.

“Bëhet fjalë për gabim teknik nga ana e Gjykatës Penale. Në institucionin tonë fillimisht pranuam urdhër për të gjykuarin Sasho Mijalkov më datë 28 nëntor për seancë gjyqësore më 12 dhjetor. Pas këtij urdhri ne vepruam dhe e dërguam të gjykuarin Sasho Mijalkov në atë seancë përkatëse. Kjo seancë gjyqësore u anulua dhe më pas më 14 dhjetor në institucionin tonë arriti përsëri kërkesë nga ana e Gjykatës Penale për të njëjtin person, mirëpo, edhe në këtë kërkesë data e seancës gjyqësore ishte e njëjtë me kërkesën paraprake, që ishte 12 dhjetor. Pra, është evidente që bëhet fjalë për gabim teknik”, Drejtori i Burgut të Strugës, Valon Qyra.

ALSAT siguroi ftesën e Gjykatës Penale të lëshuar më 14 dhjetor, të nënshkruar nga gjykatësi Ognen Stavrev në të cilën ftohet Mijalkov për seancë gjyqësore, siç thuhet në dokument, për me datë 12 dhjetor dhe jo 22 dhjetor.

Megjithatë, nga Gjykata Penale pranojnë se në atë ftesë ka qëndruar data e seancës fillestare, por thonë se kjo është praktikë gjyqësore ndërsa shtojnë se i akuzuari mbrojtja e tij kanë qenë në dijeni për seancën e sotme, por kanë vendosur të mos paraqiten.

“Në bazë të praktikës gjyqësore, urdhri mund të përmbajë datën e seancës së parë kryesore të caktuar, dhe për të gjitha urdhrat e mëtejshëm është i vlefshëm numri i evidencës që është te dokumenti kthyes i burgut. Lidhur me shpjegimin e Burgut të Strugës se urdhri i referohet datës 12 dhjetor (kur është mbajtur seanca e fundit), është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se Burgu e ka pranuar atë me datë 14 dhjetor, kështu që është e paqartë se si do ta zbatonin urdhrin dy ditë më vonë. Aq më tepër që në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 12 dhjetor në prani të të akuzuarit, avokatëve të tij si dhe shërbimit të shoqërimit nga Burgu i Strugës, u theksua se seanca e radhës është caktuar për datën 22 dhjetor”, Gjykata Penale, Shkup.

Nga Ministria e Drejtësisë thanë se kanë angazhuar Njësitin për Ekzekutimin e Sanksioneve të hetojë rastin, shtuan se do të sanksionohen të gjithë ato që kanë bë lëshime me ose pa dashje.

Në mars të vitit 2019 Gjykata Penale dënoi me tre vjet burg ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Mijalkov kishte urdhëruar liderin e PDSh-së, Menduh Thaçi, që ta udhëzojë anëtarin e KShZ-së, Bedredin Ibraimi që të votojë për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë.

Ndërsa në fund të vitit 2019, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Nga atëherë deri tani lënda ka qëndruar në Gjykatën Penale ndërsa marrë parasysh se vepra e Mijallkovit vjetërsohet në prill, është thuajse e pamundur që të sillet aktgjykim i plotfuqishëm në këto katër muaj./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button