Ministri izraelit bën thirrje për shtrirje të sovranitet izraelit në Bregun Perëndimor

Ministri izraelit bën thirrje për shtrirje të sovranitet izraelit në Bregun Perëndimor

Ministri i financave nga e djathta e skajshme e Izraelit, Bezalel Smotrich, tha të hënën se shpresonte se Izraeli do të shtrinte sovranitetin në vitin 2025 në Bregun Perëndimor, territor palestinez i pushtuar nga shteti hebre. Ai shtoi se do të kërkonte nga qeveria izraelite të bashkëpunonte me administratën e ardhshme amerikane të Donald Trumpit për të fituar mbështetjen e Uashingtonit.

Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se nuk ishte marrë asnjë vendim për këtë, çështja mund të bëhej pjesë e diskutimeve me administratën e ardhshme amerikane në Uashington.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich, i cili gjithashtu ka rol mbikëqyrës brenda ministrisë së mbrojtjes për kolonët izraelitë, si pjesë e marrëveshjes së koalicionit me Kryeministrin Benjamin Netanyahu, tha se shpreson që administrata e ardhshme e zotit Trump në Uashington do të njohë zgjerimin e sovranitetit të Izraelit.

Ministri Smotrich prej vitesh ka bërë thirrje për sovranitet izraelit në Bregun Perëndimor, tokë ku palestinezët duan të shpallin shtetin e ardhshëm të pavarur.

Në një takim të partisë së tij të së djathtës së skajshme në parlament të hënën, zoti Smotrich tha se ai kishte udhëzuar autoritetet izraelite që mbikëqyrin vendbanimet e Bregut Perëndimor “të fillojnë punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse të personelit për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme” për zgjerimin e sovranitetit, sipas një deklarate nga zyra e tij.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se ata që mbështesin këtë qëndrim mund të kenë besim se Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump mund të mbështesë lëvizje të tilla, por se qeveria nuk kishte marrë ende një vendim.

“Nuk është marrë ende një vendim për këtë çështje”, tha zoti Saar në një konferencë shtypi në Jerusalem.

“Hera e fundit që e diskutuam këtë çështje ishte gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump”, tha ai. “Le të themi se nëse do të jetë e rëndësishme, do të diskutohet përsëri edhe me miqtë tanë në Uashington”.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur për dekada të tëra një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve dhe i kanë kërkuar Izraelit të mos zgjerojë vendbanimet në territorin e pushtuar.

Bregu Perëndimor është ndër territoret e pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe ku palestinezët, me mbështetjen ndërkombëtare, kërkojnë shtetësinë. Shumica e fuqive botërore i konsiderojnë vendbanimet të paligjshme. Izraeli e kundërshton këtë, duke i mbështetur në argumente nga historia pretendimet për Bregun Perëndimor dhe duke e përshkruar atë si një mburojë sigurie për ta./ VOA/

LEXO EDHE:

Back to top button