Ministria e Bujqësisë / 200 mijë euro për karburante, 73 mijë për mirëmbajtjen e makinave

Ministria e Bujqësisë / 200 mijë euro për karburante, 73 mijë për mirëmbajtjen e makinave

Gazetar: Mefail Ismaili

Ministria e Bujqësisë do të shpenzojë rreth 203 mijë euro për derivate të naftës gjatë vitit 2023. Në faqen e furnizimeve publike, në muajin shkurt, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujëra ka nënshkruar tre kontrata në vlerë të përgjithshme prej 12.447.499 denarë për derivate. Alsat dërgoi pyetje konkrete në Ministrinë e Bujqësisë për të marrë informata të detajuara për atë se:

Sa është e domosdoshme të shpenzohet shumë aq e madhe për derivate?
Sa automjete parashikohen të furnizohen me derivate për këtë shumë?
Sa është numri i përgjithshëm i automjeteve që i përdor Ministria e Bujqësisë?

Por nga Ministria për rreth dy javë nuk morëm asnjë lloj përgjigje. Në kërkim të informatave më të detajuara, hasëm edhe në një tender tjetër të ministrisë së Bujqësisë i cili është në vlerë prej 4.484.000 denarë ose 73 000 euro, për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve.

E gjithë kjo shumë do të shpenzohet për tu bërë mirëmbajtja e gjithsej 67 automjeteve të cilat janë të modeleve të ndryshme. Ajo që bie në sy në dokumentacionin e tenderimit, se automjeteve i bëhet mirëmbajtje e tërësishme duke ua ndërruar edhe kapakët që mbyllin rezervuarin , por edhe dorezat me çelës të dyerve. Pasi nga Ministria e Bujqësisë, heshtin dhe nuk sqarojnë arsyet pse është e domosdoshme për tu shpenzuar rreth 203 mijë euro për derivate, e pe nuk tregojnë numrin e veturave për të cilat nevojitet, bëmë përllogaritjen e automjeteve të cilat në tenderë me vlerë prej rreth 73 000 mijë euro ministria do u bëjë mirëmbajtjen e plotë.

Ministria do të bëjë mirëmbajtjen e gjithsej 67 automjeteve të saj. E nëse të gjitha këto janë automjetet të cilat edhe do t’i furnizojë gjatë vitit me derivate, atëherë llogaritë flasin se për një veturë, Ministria ka llogaritur që të shpenzojë rreth 3.029 euro në vit, ose rreth 252 euro lëndë djegëse në muaj.

Të njëjtën shumë për derivate si dhe atë për mirëmbajtjen e automjeteve Ministria e Bujqësisë e ka shpenzuar edhe vitin e kaluar, e cila së bashku arrin rreth 276 mijë euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button