Moska: DASH po punon për të larguar Zelenskyn, vitin e ardhshëm ka zgjedhje në Ukrainë
Moska: DASH po punon për të larguar Zelenskyn, vitin e ardhshëm ka zgjedhje në Ukrainë
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) po punon për të hequr Volodymyr Zelensky-n nga pushteti, sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ruse (SVR).
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Tass, SVR thotë: “Sipas informacioneve tona Departamenti Amerikan i Shtetit vazhdon të punojë për skenarët e zëvendësimit të lidershipit aktual në Ukrainë, nëse është e nevojshme”.
Sipas Moskës, një nga mënyrat legjitime të largimit të Zelenskit nga pushteti, të cilin e cilësojnë si “jashtëzakonisht arrogant”, Uashingtoni po shqyrton mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Ukrainë.
“Zgjedhjet në Ukrainë mund të zhvillohen vitin e ardhshëm pavarësisht armiqësive të vazhdueshme me Rusinë”, thuhet në deklaratë.
Sipas SVR, agjencia diplomatike amerikane ka vendosur të hedhë bazat për drejtimin e një fushate zgjedhore në Ukrainë.
“Në fazën fillestare, është planifikuar të inkurajohen entitetet brenda shoqërisë civile ukrainase nën kontrollin e tyre, nëpërmjet fondacioneve të “demokratizimit” të SHBA-së dhe grupeve të mendimit, për të dalë me një iniciativë përkatëse. Kjo do të merrte “mbështetje të gjerë publike”. Kandidatët do të emëroheshin në koordinim me Departamentin e Shtetit, OJQ-të amerikane do të zgjidhnin organizatat publike lokale për të monitoruar zgjedhjet”, zbulon SVR ruse.
Sipas Moskës, me nxitjen e Shteteve të Bashkuara, aktivistët ukrainas të sponsorizuar nga perëndimi kanë nisur diskutimet për krijimin e një partie të re pro-amerikane në vend.
“Sipas skenarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, një forcë e tillë politike duhet të bashkohet me Verkhovna Rada (parlamenti i Ukrainës) për të luajtur një rol kyç në frenimin e çdo lideri ukrainas. Ky aktivitet i SHBA-së tregon se zyrtarë të profilit të lartë në Uashington do të vazhdojnë të vendosin për fatin e vendit dhe liderëve të tij kukull më tej”, thuhet më tej në deklaratën e SVR.