Moti i keq i lë pa energji elektrike mbi 100 banorë të fshatit Odri

Moti i keq i lë pa energji elektrike mbi 100 banorë të fshatit Odri

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Era e fuqishme e ditëve të fundit, ka lënë pa energji elektrike mbi 100 shtëpi në fshatin Odri të Komunës së Tearcës. Dëme të konsiderueshme kanë pësuar shtëpitë. Banorët janë ankuar se një numër i madh i shtëpive ngrohjen e sigurojnë përmes energjisë elektrike, ndërsa tre ditët e fundit, po luftojnë me të ftohtin.

“Na është djegur transformatori, s`kemi energji elektrike tre ditë. Me asgjë nuk ngrohemi ngrimë e shihni sa ftohtë është. E lajmëruam erdhën i ngjitën kabllot por sërish s`kemi. Kemi edhe shtëpitë e dëmtuara, kulmet i kemi të dëmtuar”.

“Me radiatorë ngrohemi por s`kemi tre ditë, s`kemi zjarr. Kemi fëmijë të vegjël. Fëmija tjetër do na vjen nga shkolla s`kemi ngrohje asgjë se di si do ia bëjmë”.

“Ka bë dëme në disa vende ka bë. Diku edhe kulmet i ka shkulur, erë e fuqishëm që prej tre ditësh ka nisur. Natën kemi frikë bëjmë roje se shumë erë frynë. Disave edhe dyert e hekurit ua ka shkulur”.

Teksa po filmonim dëmet e shkaktuara në Odri, energjia elektrike u ndal edhe në shkollën fillore të fshatit.

“I lëshuam sot nxënësit sepse u ndal rryma. Plus dëme kemi në çati, tjegulla teneqe ka shkul”, u shpreh Avdiqerim Avdiu, punonjës i Shkollës.

Kreu i komunës së Tearcës tha se dëme të këtilla ka pasur edhe në disa fshatra të tjerë të kësaj komune. Ai i bëri thirrje banorëve që ti paraqesin dëmet me qëllim dëmshpërblimin e tyre.

“Thuajse në gjitha fshatrat e komunës kemi paraqitje të dëmeve, nga më të voglat deri tek ai më i madhi siç ishte shtëpia e shëndetit në Dobrosht. Ne kemi nxjerrë ekip në terren dhe tashmë janë duke fotografuar nga afër situatën, por duhet çdo pronar që të paraqes individualisht gjitha dëmet e shkaktuara nga era”, deklaroi Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

Kontaktuam edhe me ekipet e EVN-së, të cilat ishin në terren, nga ku mësuam se po punohet në ndërrimin e disa transformatorëve, të cilët janë djegur si pasojë e erërave të fuqishme. Sipas tyre, defekti pritet të riparohet brenda ditës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button