Napoli “demolon” Liverpullin e Jyrgen Klopit

Skuadra e Napoli e ka shkatërruar Liverpoolin me rezultat 4-1 në sfidën e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Vendasit në minutën e 5-të, fituan penallti, pasi me dorë në zonë luajti Xhejms Milner, ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë Piotr Zielinski për 1-0.

Pas disa minutash Napoli fitoi edhe një herë penallti, ndërsa kësaj radhe gjuajti Osimhen, por goditja e tij u prit nga Alisson. Por nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë, kësaj radhe pas një aksioni të gjatë, ku Andre Zambo Anguissa doli i vetëm me portier për të shënuar për 2-0. Osimhen doli nga loja shkaku i një dëmtimi, ndërsa në vend të tij u fut Xhiovanni Simeone, i cili pas vetëm katër minutash shënoi për 3-0 pas asistimit  të Khvicha Kvaratskhelia.

Në anën tjetër Napoli e nisi furishëm edhe pjesën e dytë duke gjetur menjëherë golin. Zielinski shënoi në minutën e 47-të për 4-0, duke i treguar anglezëve që në këtë ndeshje nuk kanë çfarë të kërkojnë.

Pas dy minutash Liverpooli gjeti golin në këtë ndeshje, me Luiz Diaz që shënoi për 4-1. Pas këtij goli loja ra dhe nuk kishte më raste të mira.

Në përballjet e tjera, Ajaksi mundi Renxhersin me 4-0, Aintraht Frankfurti pësoi disfatë 0-3 nga Sportingu, ndërsa Atletiko Madridi shënoi fitore 2-1 ndaj Portos. Mjaftoi një gol që Totenhami të mund Marsejën.

LEXO EDHE:

Back to top button