Ndërkombëtarët kritikojnë institucionet për luftën e dobët kundër korrupsionit

Ndërkombëtarët kritikojnë institucionet për luftën e dobët kundër korrupsionit

Gazetar: Adrian Kerimi

Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein kritikon institucionet për luftën e dobët kundër korrupsionit në vend. Sipas saj, arsyeja pse disa vende kandidate për në BE-së negociojnë ndër vite është pikërisht lufta jo efikase kundër korrupsionit.

“E dini se në procesin integrues për në BE, kapitulli i sundimit të ligjit është kornizë e madhe e cila hapet e para dhe mbyllet e fundit. Arsye për këtë është se shumë vende të cilat janë kandidatë kanë shumë punë për të bërë në këtë kapitull dhe një shembull i tillë është edhe vendi juaj. Këtu bën pjesë gjëja më kryesore dhe ajo është shkatërrimi i korrupsionit. Neve mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në shkatërrimin e korrupsionit. Të gjithë e dimë se bëhet fjalë për një detyrë të vështirë e cila qëndron para jush. Kjo nuk i referohet vetëm politikanëve, por të gjithë qytetarëve të cilët duhet të dinë se kur shkojnë në mjek nuk guxojnë të lënë ndonjë bankënotë në mantelin e mjekut” , tha Anke Holstein, Ambasadore e Gjermanisë.

Por kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se lufta kundër korrupsionit mbetet çështje me prioritet në Qeverinë e tij. I pyetur se çfarë ka bërë, Kovaçevski një pjesë të fajit ia faturoi opozitës për shkak të bllokimit të ligjeve reformuese në Kuvend.

“Lufta kundër korrupsioni mbetet lartë në agjendën time. Kam dëshmuar që në 10 muajt e fundit nuk kam bërë asnjë seleksionim të vetëm, nuk ka pasur asnjë moment kur unë jam vendosur në pozicion të ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të cilat nuk janë në kompetencë të Qeverisë. Këtë mund ta vërtetojnë edhe instancat gjyqësore dhe të prokurorisë të cilat kanë liri të plotë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Para ambasadores gjermane kritika kishte adresuar edhe ambasadori i BE-së, Dejvid Gir i cili tha se ndjehet i zhgënjyer për shkak se shumë para janë dhënë nga BE-ja për luftë kundër korrupsionit ndërsa rezultatet janë të padukshme. Një qëndrim të njëjtë kishte edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Aggeler e cila deklaroi se pavarësish mbështetjes së SHBA-ve vendi nuk ka arritur progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button