Ndërkombëtarët u tërheqin “veshin” gjykatësve dhe prokurorëve

Ndërkombëtarët u tërheqin “veshin” gjykatësve dhe prokurorëve

Gazetare: Evi Shkopi

Dita e gjyqësorit në vendin tonë u shënua me kritika të drejtpërdrejta nga ndërkombëtarët. Ata “ua tërhoqën veshin” gjykatësve dhe prokurorëve pasi siç thanë janë të frustruar nga mungesa e përparimit. Ata thanë se duhet të trajtohet me kujdes zbatimi i ligjit, që të shmanget vjetërsimi i lëndëve.

“Pavarësisht betimit për integritet, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë mbetet i ulët. Jemi të frustruar nga mungesa e progresit. Publiku është më siguri i frustruar. Unë ju inkurajoj juve dhe atyre rreth jush që punoni për një drejtësi të pavarur që të bashkoheni dhe të bëni publik ata që ju zënë rrugën”, tha Eric Meyer, zv/ambasador i SHBA-së.

Robert Dekker, shef i misionit nga Ambasada e Holandës, tha se gjykatësit dhe prokuroret duhet t’i shërbejnë opinionit publik dhe jo të bien pre e presioneve. Sipas tij Komisioni Evropian së shpejti do të publikojë raportin e parë të skriningut ku edhe do të dihet më saktë se çfarë duhet punuar për të forcuar më shumë drejtësinë në vend.

“Ky është një mesazh urgjent, sepse për fat të keq siç e dimë të gjithë , presione të tilla ekzistojnë ende në Maqedoninë e Veriut. Progresi është në dorën tuaj, ndërsa ne jemi këtu të ju mbështesim, sot dhe nesër”, tha Robert Dekker, zv/ambasador i Holandës.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, tha se numri i gjykatësve, jo rezistent ndaj presioneve dhe ndikimeve, është i vogël. Ajo tha se duhet të dihen me emra dhe mbiemra gjykatësit që profesionin e tyre nuk e kryejnë duke vënë drejtësinë në vend.

“Vetëm një pjesë e gjykatësve nuk munden ose nuk duan tu rezistojnë ndikimeve dhe presioneve dhe kjo është ajo që kontaminon të gjithë profesionin, të fshehur nën petkun e togës. Gjykatësit do të ju thonë edhe se e dinë se cilët janë ata gjykatës jo rezistent në radhët e tyre, por kur duhet t’i thonë me emër dhe mbiemër, lënë që atë gjë ta bëjë dikush tjetër në vend të tyre. 18:39 Besimi nuk është dhuratë, besimi duhet të fitohet”, theksoi Vesna Dameva- kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Vjetërsimi i shpeshtë i lëndëve, sidomos të atyre të ish shefit të DSK-së, vazhdimisht ka hasur në reagime. Ndërkohë pothuajse në çdo raport dhe sondazh besimi i qytetarëve ndaj Gjyqësorit lë për të dëshiruar. Kritika pati edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button