Ndotja e ajrit përplas përsëri LSDM-në dhe VMRO-në

Ndotja e ajrit përplas përsëri LSDM-në dhe VMRO-në

Gazetar: Mefail Ismaili

Këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për zgjidhjen e problemit me ndotjen alarmante të ajrit. Duke akuzuar kryetaren Danella Arsovska se në koalicion me VMRO-në dhe Të Majtën nuk po ndërmarrin asgjë konkrete, Lubica Jançeva tha se këshilltarët e LSDM-së në seancën eventuale do të propozojnë masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit.

“LSDM dyshon se inspektorët nuk guxojnë të veprojnë pa dhënë pajtueshmëri me gojë sekretari i Qytetit të Shkupit, e nëse është ashtu, patjetër duhet të ndalojë menjëherë. Shkupi këto ditë është në krye të listës së qyteteve më të ndotur në Botë, gjë e cila ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e njerëzve. Ndotja e ajrit është arsyeja më e madhe e rritjes së sëmundjeve tek njerëzit dhe vdekjes së parakohshme”, deklaroi Lubica Jançeva, këshilltare e LSDM.

Në reagim, nga VMRO-DPMNE thonë se nuk ka nevojë për seancë të jashtëzakonshme, pasi siç thonë, në takimet e fshehta që realizojnë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetarja e Qytetit Danella Arsovska përveç tenderëve mund të flasin edhe për masa kundër ajrit të ndotur.

“Të gjitha masat të cilat i ka Jançeva ose dikush nga këshilltarët e LSD-së mund t’ia japë Kovaçevskit, i cili është në koalicion të fshehtë me Arsovskën dhe për të cilin bashkëpunim VMRO-DPMNE e tërhoqi mbështetjen për kryetaren e Qytetit. Kovaçevski në takimet me Jakimovskin dhe Arsovskën, përveç tenderëve mund të kontraktojë edhe ndonjë punë të mirë për qytetarët, siç është ajri më i pastër”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ditët e fundit Shkupi vazhdimisht ndodhet ndër të parat në listën e qyteteve më të ndotura në Botë. Mëngjesin e sotëm faqja “IQAir” e cila bën radhitjen e qyteteve të ndotura, Shkupin e kishte radhitur mes dhjetë qyteteve më të ndotura, para së cilës ndodheshin qytete nga India, Kina dhe Bangladeshi. Kryeqyteti më i ndotur është në pjesën e Qendrës ku matësi tregon mbi 200 grimca PM10 në një metër kub./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button