“Ndotja”, Qyteti i Shkupi e dorëzoi padinë kundër fabrikës “Usje”

“Ndotja”, Qyteti i Shkupi e dorëzoi padinë kundër fabrikës “Usje”

Gazetare: Ajnur Bafqari

Qyteti i Shkupit zyrtarisht e ka dorëzuar padinë penale kundër çimentores “Titan Usje”, në bazë të të cilës kërkojnë përgjegjësi për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga lëshimi i grimcave PM 10 më shumë se sasia e lejuar. Bëjnë thirrje që Prokuroria Publike të hetojë tërësisht gjetjet dhe të veprojë në përputhshmëri me padinë, pasi siç thonë, është e palejueshme që qytetarët e Shkupit të jenë viktima të përfitimeve të disa personave që me dekada e helmojnë kryeqytetin.

“Padia penale e dorëzuar është në pajtueshmëri me nenin 234 të Kodit Penal- vepra të rënda kundër mjedisit jetësorë dhe natyrës, lidhur me nenin 218 nga ligji i njëjtë. Çimentorja ‘Titan-Usje’ ka lëshuar dukshëm më shumë koncentrime të grimcave PM 10 nga kaldajat për ngrohje që kanë punuar me mazut. Në vend të maksimumit të lejuar 50 mikrogram për metër kub, nga oxhaku janë lëshuar 121 mikrogramë për metër kub çdo orë”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Nga Qyteti i Shkupit njoftojnë se në padi, përveç subjektit juridik, përgjegjësi do të kërkohet edhe nga drejtori i përgjithshëm i çimentores Boris Hrisafor, për shkak se siç thuhet nuk i është përmbajtur obligimeve të lejes A të integruar. Nga çimentorja “Usje” hedhin poshtë akuzat dhe paralajmërojnë ngritje të procedurës ligjore para organeve kompetente.

“Çimentorja Usje, tërësisht i hedh poshtë akuzat e pabaza, e cila ka për qëllim defokusimin e opinionit. Për fat të keq ky qëndrim nuk çon drejt zgjidhjes së çështjeve të hapura. Është tërësisht e pavërtetë se Usje në punën e saj edhe më parë ka ndikuar në ndotjen e kryeqytetit. Këtë e konfirmojnë të gjitha raportet tona që janë dorëzuar te institucionet, si dhe matjet e pavarura të laboratorëve të akredituar. Duke pasur parasysh faktin se në opinion transmetohen akuza dhe konstatime që nuk mbështeten në fakte ose prova shkencore, dhe në drejtim të mbrojtjes së të vërtetës, ne do të ngremë procedurën e duhur ligjore para organeve kompetente”, thonë nga Çimentorja “Usje”.

Në ndërkohë inspektorati shtetëror i mjedisit informuan se “Usje” i ka plotësuar obligimet e përcaktuara nga Inspektorati lidhur me emetimin e gazrave të dëmshme nga dy kaldajat për ngrohje të çimentores dhe ka filluar që të përdor gaz për ngrohje dhe të bëjë matje të emetimeve të gazit. Por kjo nuk e shpëton këtë fabrikë nga gjoba deri në 200 mijë euro, për periudhën që ka shkaktuar ndotjen. Të gjitha këtyre zhvillimeve u parapriu konferenca për media e kryetares së Qytetit të Shkupit, e cila paralajmëroi padi për shkak të rezultateve të matjes në fabrikë, që kanë treguar emetime të gazeve tre herë më shumë se e lejuara. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button