Ndryshimet kushtetuese, VMRO-ja pret presione ndaj deputetëve të saj
Ndryshimet kushtetuese, VMRO-ja pret presione ndaj deputetëve të saj
Gazetar: Lluka Andreev
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, pret që pas festave, pushteti të fillojë të ushtrojë presion mbi opozitën dhe deputetët që të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Ai në në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat tha se pushteti mund të përdor shantazhe, kërcënime dhe oferta në të holla për, siç shtoi ai, ta detyrojë dikë të dorëzohet. Sipas Milloshoskit puna e grupit për ndryshime kushtetuese në Ministrinë e Drejtësisë është zhvlerësuar që në fillim.
“Akademiku Kambovski, profesoresha Renata Deskoska e të tjerë për arsyet e tyre të njohura refuzuan të jenë pjesë e këtij grupi, sepse e dinë se ky grup pune ka për qëllim të paraqesë se diçka po bëhet. Nëse Qeveria do të ishte serioze dhe do të konsideronte se ka numër përkatës, do t’i kishte filluar këto konsultime në Kuvend, ku kryetar i Komisionit për çështje kushtetuese është Talat Xhaferi”, u shpreh Antonio Milloshoski – VMRO-DPMNE.
Ndërkohë ende nuk dihet se kur do të nisë funksionimin grupi i punës. Ministria e Drejtësisë më herët theksoi se fillimisht duhet të konstituohet dhe më pas të mbahet mbledhja e parë, ndonëse takimi ishte paralajmëruar për këtë javë. Përfaqësuesit e Qeverisë njoftuan se pasi grupi t’i shkruajë amendamentet e propozuara, ato do të kalojnë në diskutim publik dhe më pas do të dërgohen në Kuvend. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se ftesa për të marrë pjesë në grupin e punës është e hapur për ekspertët, por edhe për përfaqësuesit e partive parlamentare të opozitës që refuzuan të marrin pjesë. Pritjet fillestare ishin që ndryshimet kushtetuese të hynin në procedurë parlamentare në fund të muajit maj, kur është testi i parë për procesin, sepse fillon me votimin e nevojës së ndryshimit të Kushtetutës, për të cilën nevojiten 80 vota. Mbetet e paqartë nëse do të jetë në tryezë çështja e zëvendësimit të fjalisë “gjuha që e flasin të paktën 20% e qytetarëve” me “gjuha shqipe”, sepse Aleanca për Shqiptarët theksoi se do ta ngrejë këtë çështje, por partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI u përgjigjën se tani prioritet është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, e cila do të mundësojë vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Alsat.mk