Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Barcelonës me kërkesën për çmime të përballueshme të banimit. Policia ka thënë se rreth 22.000 njerëz kanë marrë pjesë në protesta, ndërsa organizatorët kanë thënë se kanë qenë 170.000 pjesëmarrës.
Protestuesit kanë kërkuar që çmimet e qirave të përgjysmohen. Protestuesit kërkojnë edhe që banesat në zonat turistike të jenë të qasshme sërish për banorët e Barcelonës, kryeqytetit të rajonit të Katalonjës, në verilindje të Spanjës. Sipas gazetës El Pais, situata është duke u bërë secilën herë e më e vështirë në tregun e Barcelonës, pasi shtëpitë e banimit po shfrytëzohen për turizëm, si dhe për shkak që të huajt po blejnë shumë prona në këtë qytet. Në muajt e fundit, protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytete e ishuj tjerë të Spanjës. Në disa është kërkuar edhe që t’i jepet fund turizmit masiv.
“Kjo është turp. Nuk duhet të lejojmë që gjërat të jenë kështu. Fëmijët tanë, përfshirë djalin tim, janë të detyruar të dalin jashtë Barcelonës. Sepse, nëse nuk e ndajnë banesën me njerëz të tjerë, ata nuk mund ta përballojnë pagesën”, tha Ana Markez, infermiere.
“Ne qiramarrësit jemi të ngopur duke na vjedhur gjysmën e pagave çdo muaj. Pra, nëse çmimet e qirasë nuk ulen, ne do të ndalojmë së paguari. Ne po i bëjmë ata të pasur. Pra, nëse ndalojmë së paguari, biznesi i tyre do të bjerë”, tha Enrik Aragones, sindikata e qiramarrësve.