Në debatin për buxhetin u debatua për gjithçka

Në debatin për buxhetin u debatua për gjithçka

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Debati në komisionin parlamentar për buxhetin e vitit të ardhshëm, u shndërrua në debat për tema që nuk kanë të bëjnë fare me paratë e planifikuara në arkën shtetërore. U fol për të drejtat e komuniteteve, veçanërisht për turqit, për njohjen e maqedonishtes e përplasje të tjera politike. Deputeti Sali Murat u ankua se gjykatësit maqedonas nuk i njohin traditat e kurorëzimeve fetare me hoxhë dhe pajën e nusërisë.

“Ne përfaqësimin e komuniteteve e veçanërisht komunitetit turk nuk tejkalon 1.2 apo 1.3%. Me 4% pjesëmarrje, në Ministrinë e DRejtësisë kemi vetëm 1.3%. Bashkëpunëtor ekspertë nuk tejkalon 1.5%. Në administratën juridike kemi 1.7% e ajo që do ta problematizoj, përkthyes dhe interpretues nuk ka thuajse në asnjë institucion në organet gjyqësore”, tha Sali Murat – Fronti Europian.

“Nuk mundet një palë në procedurë gjyqësore, shtetas i RM-së dhe nuk guxon sipas ligjit dhe Kushtetutës të mos e njeh gjuhën maqedonase. Po, dmth ju keni të drejtë të flisni në gjuhën tuaj dhe të gjitha komunitetet por fillimisht duhet ta dini edhe gjuhën maqedonase, kjo është fakt”, deklaroi Bllagica Llasovska – VMRO-DPMNE.
Ndërkohë deputeti Bexheti tha se nuk ka asgjë të keqe nëse ndonjë qytetar nuk e njeh maqedonishten. U përgjigj sërish Lasovska duke i thënë Bexhetit se rëndësi ka standardi si në Haraçinë e Radovish e jo siç tha, hajnia e BDI-së.

“Nëse mendoni se me supremacion duke intonuar edhe zërin se si jo me pikëçuditëse jo pa pikëçuditëse. Mirë është ta dinë të gjithë, mirë është ta dinë nuk ka asgjë të keqe por edhe mos ta dinë nuk është ndonjë e keqe e madhe. Ajo është e drejtë dhe liri e çdo qytetari. Nuk është fundi i botës mos me e ditë ndonjë qytetar gjuhën maqedone”, deklaroi Blerim Bexheti – BDI.

“As shqiptarët në Haraçinë e as maqedonasit në Radovish dhe Sveti Nikollë nuk do të ishin më të gëzuar nëse sot nuk vendosim tua përmirësojmë standardin jetësor”, u shpreh Blagica Llasovska – VMRO-DPMNE.
Debati më pas vazhdoi me amandamentet tjera të dorëzuara nga Sali Murat, por të gjitha një nga një refuzoheshin nga deputetët në komision. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button