Në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të përfshihen edhe hebrenjtë

Në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të përfshihen edhe hebrenjtë

Gazetar: Mefail Ismaili

Përveç bullgarëve në Kushtetutë do të hyjnë edhe hebrenjtë. Këtë e njoftoi kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili tha se këtë e mbështesin edhe partnerët tjerë qeveritar. Ai shtoi se është takuar edhe me përfaqësues të Kuvendit të Izraelit.

“Bashkësia e Hebrenjve këtu tek ne është po ashtu një bashkësi me rëndësi dhe unë kam thënë, po ashtu edhe partnerët tanë të koalicionit, se gjatë ndryshimeve kushtetuese edhe Hebrenjtë do të jenë një nga bashkësitë që mendojmë se do të jenë pjesë e Kushtetutës sonë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçevski akuzoi VMRO-në se bën politikë për të bllokuar rrugën evropiane të vendit. Nga partia e Mickoskit thonë se kryeministri Kovaçevski frikohet pasi jo vetëm që nuk ka shumicë, por edhe shumë deputetë të LSDM-së nuk do të votojnë për ndryshimet Kushtetuese.

“VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në grupin e ndryshimeve kushtetuese për shkak se nuk i japim kredibilitet një procesi jokredibil. Qëndrimi jonë për ndryshime kushtetuese është i pandryshueshëm dhe kjo përbërje parlamentare nuk ka legjitimitet për këtë. Nëse vjen deri në debate për këtë në Kuvend ne do ti tregojmë argumentet kundër sjelljes së dhunshme të ndryshimeve kushtetuese në diktatin bullgar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga pushteti thonë se së shpejti do të formohet grupi me ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe juristë i cili do të koordinohet nga Ministria e Drejtësisë. Më pas këto ekspertë do t’i përgatitin amendamentet me të cilat duhet të ndryshohet Kushtetuta. Pasi të përgatiten amendamentet, ata do të vendosen në debat. Pasi të përfundojë debati në opinion, amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës do të dorëzohen për shqyrtim dhe për debat në Kuvend, e më pas të miratohen me shumicën prej dy të tretave të deputetëve. Të gjitha këto procedura duhet të përfundojnë deri në fund të tetorit të këtij viti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button