Në prag të sezonit turistik, në Prishtinë promovohen Ditët e Sarandës

Ditët e Sarandës promovohen në Prishtinë

Saranda do të mirëpresë turistët nga Kosova të cilët do të zgjedhin sivjet për ta vizituar këtë pikë të bukur turistike në bregdetin e kaltër shqiptar.

Kështu u tha me rastin e promovimit të Ditës së Sarandës sot në Prishtinë, ku u promovuan artizanale dhe bukuritë e bregdetit shqiptar.

Kreu i bashkisë Sarandë Adrian Gurma tha se mirëpresin turistët nga Kosova, të cilët do t’ia mësyjnë sivjet bregdetit të bukur shqiptar.

“Qytetarët e Kosovës kane qenë dhe janë frymëzimi i ekonomisë së bashkisë. Në kohën më të keqe, atë të pandemisë, ata kanë vizituar Sarandën dhe u jemi mirënjohës. Ne ju mirëpresim në Sarandë, këtë të mirë duhet t’ia kthejmë Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që këtë verë të zgjedhin Sarandën si destinacion të rëndësishëm turistik.

“Saranda është vendi që qytetarët e Kosovës e frekuentojnë. U jemi mirënjohës që gjatë luftës na keni pritur, uroj që të kemi më shumë projekte në aspektin e industrisë, gastronomisë dhe turizmit, dhe t’i realizojmë ato dhe të mos të mbesin vetëm fjalë. Ftoj qytetarët e Kosovës të vizitojnë bukuritë e Sarandës”, tha ajo.

Një fjalë rasti mbajti edhe i pari i Prishtinës Përparim Rama, i cili ftoi turistët shqiptarë të vijnë këndej kufiri për të marrë pjesë në festivalet e ndryshme, sikurse “Sunny Hill”.

“Kam menduar që di shumë për Shqipërinë, sot mësova shumë gjëra për plazhin e Sarandës, traditën, festivale të shumta si festivali “Mandarina”, plazhi te Syri i kaltër. Mendoj se të gjitha këto duhet t’i vizitoni. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë mendoj që duhet ta vizitojnë edhe Prishtinën, sepse edhe ne kemi disa festivale, si “Sunny Hill” që do të mbahet shumë shpejt”, tha Rama.

LEXO EDHE:

Back to top button