Në rast fitoreje të Kupës së Italisë, Konseisao do të vazhdojë qëndrimin te Milani?!

“Gazzetta dello Sport” ndalet tek e ardhmja e pankinës së Milanit dhe sjell një skenar që, duke parë si qëndronin gjërat disa javë më parë, mund të konsiderohet befasues, konfirmimi i Serxhio Konseisao në stolin e “kuqezinjve”.
Ky opsion, në fakt, nuk është hedhur plotësisht poshtë në ambientet e “Milanello”, sidomos nëse trajneri portugez, pas fitores së Superkupës së Italisë në janar, do të arrijë të fitojë edhe Kupën e Italisë të mërkurën mbrëma kundër Bolonjës.
Trajneri i fundit i Milanit që ka fituar dy trofe në një sezon të vetëm ishte Karlo Ançeloti në sezonin 2007-2008, me triumfet në Botërorin për Klube ndaj Boka Xhuniors dhe Superkupën Europiane ndaj Sevilja-s. Për këtë arsye, “dopieta” e mundshme e trofeve sezonalë nuk do të ishte aspak detaj i parëndësishëm.
Për këtë arsye, shkruan “Gazzetta”, mbështetja e klubit ndaj trajnerit nuk është vetëm çështje diplomacie, por lidhet me një ide reale për ta konfirmuar Conceicãon në rast se fiton dy trofe. Asgjë nuk është e sigurt, por mundësia është më konkrete se më parë. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2026, por një klauzolë i lejon si klubit, ashtu edhe trajnerit ta ndërpresin marrëveshjen një verë më herët.