Një grua kundër një gjiganti me 3 miliardë përdorues: Frances Haugen sfidon Facebookun

Frances Haugen ka qenë njëra nga punëtoret e Facebookut për luftimin e gjuhës urrejtëse. Tani ajo është sinjalizuese dhe alarmon opinionin botëror se si Facebooku ende po bën tepër pak për të pastruar bërllokun verbal, urrejtjen e gënjeshtrat, të cilat po rrezikojnë paqen në botë.

Në disa vende si në Sri Lankë, Meksikë apo Etiopi urrejtja në mediat sociale ka nxitur përndjekjen, në Birmani ka çuar në gjenocid. Madje bandat meksikane të drogës angazhojnë vrasës përmes Facebookut.

Frances Haugen është 37-vjeçare. Ajo ka punuar dy vjet për Facebookun në selinë e firmës në Menlo Park në bregun perëndimor të San Francisco Bay.

Në maj të këtij viti Haugen braktisi punën në Facebook për shkak se nuk pajtohej me indiferencën e punëdhënësit ndaj problemit të përhapjes së gjuhës urrejtëse në platformë. Facebook ka rreth tre miliardë shfrytëzues.

Haugen ka marrë me vete dokumente e dëshmi kundër Facebookut. Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan në një tekst të gjatë se kush i lexon dokumentet dhe aktet e Frances Haugen arrin në përfundimin se Facebooku është duke e shkatërruar shoqërinë dhe demokracinë.

Facebook dhe dy ndërmarrjet e saj WhatsApp dhe Instagram akuzohen për shkaktim të varësisë digjitale, për deformime personaliteti, për erozionin e diskursit politik, për krijimin e kushteve për gufimin e urrejtjes dhe rrenave, për kapitalizmin përgjues, i cili i copëton njerëzit në të dhëna vetëm e vetëm për t’iu shitur atyre rraqe., nënvizon “Süddeutsche Zeitung”.

Por kjo nuk është e tëra: në disa vende si në Sri Lankë, Meksikë apo Etiopi urrejtja në mediat sociale ka nxitur përndjekjen, në Birmani ka çuar në gjenocid.

Frances Haugen ka punuar në departamentin e “Civic Integrity”, detyrë e të cilit ka qenë të luftojë urrejtjen dhe aktivitetet kriminale. Pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të mbajtura para një viti, ky departament është shpërbërë.

Sipas dokumenteve që disponon Frances Haugen, bandat meksikane të drogës përmes Facebookut angazhojnë vrasës, ndërsa kontrabandistët e njerëzve në Lindjen e Afërt e shfrytëzojnë platformën për “biznesin” e tyre.

Në studimet interne të Facebookut theksohet se platforma Instagram dëmton personalitetin e të rinjve, të cilët orë e çast garojnë me fotografi për të rënë sa më shumë në sy. Rezultat i kësaj gare janë frika dhe depresioni i të rinjve.

Në Britaninë e Madhe 13 për qind e vajzave të anketuara thonë se për shkak të Instagramit mendimet e tyre për vetëvrasje janë bërë edhe më të tmerrshme.

Në qershor vlera e Facebookut ishte një bilion dollarë. Frances Haugen i tregoi gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” se departamenti i saj për luftimin e gjuhës urrejtëse kishte programuar algoritmet në atë mënyrë që të kufizohen postimet që nxisin urrejtje.

Por në të njëjtën kohë një departament tjetër kishte ndërhyrë pa konsultim fare dhe barrierat për kufizimin e gjuhës së urrejtjes ishin shembur. Sipas Haugen Facebooku fiton në vit gati 30 miliardë dollarë, rrjedhimisht, shton ajo, kjo firmë do të duhej të angazhonte 600 punëtorë për të luftuar një problem dhe jo gjashtë. Një zëdhënës i Facebookut i tha “Süddeutsche Zeitung” se mbi 40 mijë punëtorë janë të angazhuar në garantimin e sigurisë së Facebookut.

“Që nga viti 2016 kemi investuar më shumë se 13 miliardë dollarë në ekipe dhe teknologji në këtë fushë, të cilat orë e çast verifikojnë përmbajtjet në 50 gjuhë në më shumë se 20 zyra në mbarë botën”. Megjithatë, gjuha e urrejtjes nuk është kufizuar aq për shkak se punëtorët e Facebookut nuk i njohin të gjitha gjuhët në të cilat postohet. Për shembull disa moderatorë të Facebookut që flasin arabishten e Marokut ankohen se nuk mund t’i verifikojnë postimet nga Siria apo Jemeni për shkak të dialektit tjetër arab. 84 për qind e orëve që në Facebooku i kushtohen luftimit të dezinformimit kanë të bëjnë me masa që synojnë mbrojtjen e përdoruesve amerikanë të Facebookut. Vetëm 16 për qind e buxhetit harxhohet për pjesën tjetër të botës, shkruan “Süddeutsche Zeitung”. Sipas kësaj gazete duket se Facebooku është shndërruar në një “makinë ferri”, të cilën themeluesit e saj nuk e kanë më nën kontroll.

Të martën (sipas kohës amerikane) Frances Haugen do të dëshmojë para nënkomitetit për mbrojtje të konsumatorëve, siguri të produkteve dhe siguri të dhënave të Senatit amerikan. Ajo frikësohet se Facebook mund t’i hakmerret. Por Frances Haugen thotë se qëllimi i saj nuk është të dëmtojë punëdhënësin, por vetëm ta detyrojë të ndërmarrë masa efektive në luftimin e gjuhës së urrejtjes.

LEXO EDHE:

Back to top button