Nëse jeni të shqetësuar se sa shpejt po i afroheni ditëlindjes suaj të ardhshme “të madhe”, ka lajme të mira për ju: shkencëtarët pretendojnë se kanë zbuluar moshën maksimale që një person mund të jetojë, dhe nëse gjithçka shkon mirë, ka ende vite të mira përpara nesh.
Statistikanët nga Universiteti Erasmus në Tilburg dhe Roterdam studiuan jetëgjatësinë e 75,000 njerëzve në Holandë gjatë një periudhe 30-vjeçare, që përfundoi në vitin 2017.
Ndryshe nga studimet e zakonshme që përqendrohen në jetëgjatësinë, ata donin të zbulonin se sa gjatë mund të jetojë një person nëse kujdeset për veten dhe jeta e tij nuk ndërpritet nga sëmundje ose rrethana të tjera.
Bazuar në të dhënat mbi moshën e të anketuarve në kohën e vdekjes, shkencëtarët përcaktuan se jetëgjatësia mesatare është rreth 90 vjet.
Studimi tregon se nuk ka gjasa që një person të jetojë përtej 115 vjetësh. Megjithatë, gratë kanë një jetëgjatësi pak më të gjatë se burrat. Mosha maksimale për gratë është 115.7 vjet, dhe për burrat 114.1 vjet.
– Mesatarisht, njerëzit jetojnë më gjatë sot. Sigurisht, jetëgjatësia mesatare është më e gjatë. Por vetë kufiri maksimal i sipërm nuk ka ndryshuar – thotë profesori John Einmal, një nga tre shkencëtarët që kryen kërkimin.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, Einmal kujton se ka përjashtime kur njerëzit tejkalojnë kufirin e propozuar. Burri më i vjetër në botë, i konfirmuar nga Libri i Rekordeve Guinness, ishte japonezi Jiroemon Kimura, i cili jetoi 116 vjet.







