Nuk ka zgjidhje për kërkesat e transportuesve privat në Shkup

Nuk ka zgjidhje për kërkesat e transportuesve privat në Shkup

Gazetar: Mefail Ismaili

Ndërmarrja për qarkullim publik në Shkup mban derën e mbyllur për transportuesit privat. Pas neglizhencës për takim nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, ata sot nuk u pritën as nga drejtori i NQP-së Aleksandar Stojkovski. Edhe pse qëndruan disa orë para ndërmarrjes, në fund morën përgjigje se për takim me drejtorin nevojitet kërkesë me shkrim. Transportuesit privat thonë se nuk do të heqin dorë së kërkuari paratë e tyre nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik. Ata hedhin poshtë akuzat e një dite më parë të kryetares Arsovska se gjoja kanë bërë keqpërdorime me biletat.

“Për të gjitha akuzat nga ana e kryetares ekziston evidencë e saktë elektronike dhe atë nga trupi monitorues në kuadër të Qytetit të Shkupit, nga trupi Qendra organizative kontrolluese në suaza të NQP-së dhe në qendrat dispeçere në kompanitë tona ku saktë dihet se sa kemi realizuar, sa kemi punuar… Kryetarja e Qytetit patjetër të përgjigjet për ata nebuloza dhe gënjeshtrat që i tha”, tha Kemal Muriç, transportues privat.

“Pagesa bëhet me kartela elektronike, ato kartela elektronike blihen njëherë nga udhëtarët dhe bëhet mbushja e tyre në biletaritë e NQP-Shkup e jo tek ne në autobus. Pajisjen që e kemi ne në autobus nuk e mundëson mbushjen e kartelave dhe kjo është një prej dobësive të sistemit që të mund të paguajnë qytetarët”, shtoi Isen Halili, transportues privat.

Krerët e “Slloboda Prevoz” dhe “Makekspres trans”, u pritën nga koordinatorët e këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, për tu dëgjuar për problemet e tyre. Pas takimit thanë se janë të kënaqur nga pritja e këshilltarëve.

“Gjetja e zgjidhjes patjetër të jetë tek Ndërmarrja për Qarkullim Publik dhe të kërkojnë nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, pasi na u tha se ata janë të vetmit që në këtë rast mund të kërkojnë mjete plotësuese ose një shumë e mjeteve që të mund të paguhen që ti paguajnë borxhet si ndaj nesh ashtu edhe ndaj të tjerëve”, u shpreh Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.

Ndërsa kryetari i Këshillit Komunal të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, shtoi se në seancën e këshillit që do të mbahet të hënën këshilltarët do të kërkojnë llogari nga kryetarja e Qytetit.

“Menjëherë të theksoj se ne si këshillë nuk kemi kompetenca për zgjidhjen e këtij kontesti, e jona ishte ti dëgjojmë. Më shumë koordinator të grupeve të këshilltarëve njoftuan se të hënën e ardhshme, do të parashtrojnë pyetje të këshilltarëve ndaj kryetares Arsovska dhe shërbimeve të Qytetit, ta dëgjojmë edhe palën tjetër e të jemi të informuar në detaje siç u informuam tani nga përfaqësuesit e transportuesve privat”, deklaroi Trajko Sllaveski, kryetar i këshillit të QSH.

Për shkak të mos gjetjes së zgjidhjes që Qyteti i Shkupit tu paguaj borxhin prej më shumë se 1,5 milionë euro transportuesve privat, si dhe pas akuzave të kryetares Denalla Arsovska se transportuesit privat kanë bërë keqpërdorime me shitjen e biletave, transportuesit privat thonë se të hënën mund të dalin në protestë dhe të nxjerrin në rrugë 221 autobusët e tyre, të cilët për momentin nuk qarkullojnë.

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button