Nuredini kundër përdorimit të burimeve energjetike që ndotin ajrin

Nuredini kundër përdorimit të burimeve energjetike që ndotin ajrin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ministri i Ekologjisë nuk pajtohet me idenë e EMV-së dhe Qeverisë që ngrohtoret në Shkup të punojnë me dizel, pasi sipas këtij dikasteri gazi është më pak ndotës krahasuar me burimet e tjera energjetike dhe duhet të vazhdohet me përdorimin e tij. Nuredini tha se tashmë kanë arritur 4 kërkesa nga kompani të mëdha për ndryshim të mënyrës së punës, përkatësisht në vend të gazit të përdorin burime të tjera energjetike, por asnjëra nuk është miratuar. Aktualisht po bëhen analizat dhe vlerësimet dhe kjo gjë mund të zgjas deri në 3 muaj.

“Ata duhet të dorëzojnë kërkesë për ndryshim të lejes, ajo zgjat deri në 90 ditë, pasi ne duhet të vlerësojmë nëse ndryshimi është në korniza ligjore. Nëse më pyesni mua për qëndrimin personal, shumë lehtë e them, mendoj se nëse mundet ne të gjithë, duhet të vazhdojmë të përdorim gaz që është më ekologjik… Mendoj se nuk duhet të jem ekspert për të thënë se dizeli dhe mazuti janë më pak ekologjike se gazi, nëse ka gaz atëherë qëndrim logjik është të vazhdojmë të përdorim gaz”, deklaroi Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.

Ndërkohë sipas organizatës “Eko Svest” përdorimi i dizelit dhe mazutit janë kthim mbrapa për 50 apo 60 vite. Nga kjo organizatë theksojnë se në listën e ndotësve më të mëdhenj të ajrit janë kategoria e popullatës që jeton në kufi të varfërisë, pasi me rritjen e çmimit të burimeve energjetike më pak ndotëse ata përdorin lëndë djegëse më të lira që ndikojnë në ndotje alarmante.

“Atë që tashmë e dimë sipas Entit Shtetëror të Statistikës është se rreth 40 për qind e popullatës jeton në kufi të varfërisë me ndihma sociale dhe pensione, që nënkupton se nëse rritet çmimi i druve për ngrohje dhe peletëve dhe burimeve të tjera, nënkupton që këto amvisëri do të përdorin diçka që është më lehtë e qasshme dhe më e lirë…”, tha Davor Pehçevski, “Eko Svest”.

Me uljen e temperaturave është rikthyer në masë të madhe edhe ndotja e ajrit. Autoritetet thonë se krahasuar me vitet paraprake ka përmirësim të situatës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button