OBSH-ja: Lia e majmunëve mund të frenohet

Më shumë se 100 raste të virusit – që shkakton skuqje dhe ethe – janë konfirmuar në Evropë, Amerikë dhe Australi. Ky numër pritet të rritet ende, por ekspertët thonë se rreziku i përgjithshëm për popullatën e gjerë është shumë i ulët
Lia e majmunëve mund të frenohet në vendet jashtë Afrikës ku virusi zakonisht nuk zbulohet, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Më shumë se 100 raste të virusit – që shkakton skuqje dhe ethe – janë konfirmuar në Evropë, Amerikë dhe Australi. Ky numër pritet të rritet ende, por ekspertët thonë se rreziku i përgjithshëm për popullatën e gjerë është shumë i ulët.

Virusi është më i zakonshëm në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

“Kjo është një situatë e kontrollueshme”, tha udhëheqësja e OBSH-së për studimin e sëmundjes në zhvillim, Maria Van Kerkhove, në një konferencë shtypi të hënën. “Ne duam të ndalojmë transmetimin nga njeriu te njeriu. Ne mund ta bëjmë këtë në vendet joendemike”, shtoi ajo – duke iu referuar rasteve të fundit në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Virusi tani është zbuluar në 16 vende jashtë Afrikës.

Pavarësisht se është shpërthimi më i madh jashtë Afrikës në 50 vjet, lia e majmunëve nuk përhapet lehtë mes njerëzve dhe ekspertët thonë se kërcënimi nuk është i krahasueshëm me pandeminë e koronavirusit.

“Transmetimi po ndodh vërtet nga kontakti lëkurë në lëkurë, shumica e njerëzve që janë identifikuar kanë më shumë një sëmundje të lehtë”, tha Van Kerkhove.

Një zyrtar tjetër i OBSH-së shtoi se nuk kishte asnjë provë që virusi i lisë së majmunit kishte pësuar mutacion, pas spekulimeve të mëparshme mbi shkakun e shpërthimit aktual.

Viruset në këtë grup “priren të mos ndryshojnë dhe ato priren të jenë mjaft të qëndrueshme”, tha Rosamund Lewis, e cila drejton sekretariatin e lisë së OBSH-së.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë shëndetësor i BE-së ka paralajmëruar se disa grupe njerëzish mund të jenë më të rrezikuar se të tjerët.

“Për popullatën më të gjerë, gjasat e përhapjes janë shumë të ulëta”, tha dr. Andrea Ammon i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

“Megjithatë, gjasat e përhapjes së mëtejshme të virusit përmes kontaktit të ngushtë, për shembull gjatë aktiviteteve seksuale mes personave me partnerë të shumtë seksualë, konsiderohet të jetë e lartë”.

Lia e majmunëve nuk është përshkruar më parë si një infeksion seksualisht i transmetueshëm, por mund të transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë gjatë seksit.

Dr Ammon sugjeroi që vendet duhet të rishikojnë disponueshmërinë e vaksinës së lisë, e cila është gjithashtu efektive kundër lisë së majmunëve.

Në Britani, e cila tani ka regjistruar 57 raste, autoritetet po këshillojnë këdo që ka pasur kontakt të ngushtë me një rast të konfirmuar të izolohet për 21 ditë.

Një person konsiderohet në rrezik të lartë për t’u infektuar nëse ka pasur kontakt familjar ose seksual me dikë me li majmuni, ose ka ndryshuar shtratin e një personi të infektuar pa përdorur pajisje mbrojtëse personale.

Simptomat, të cilat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje dhe skuqje njollash të ënjtura, që më vonë kthehen në flluska, janë zakonisht të lehta dhe për shumicën e njerëzve zhduken brenda dy deri në katër javë.

LEXO EDHE:

Back to top button