OBSH: Vaksinat e para në Kosovë do të vijnë në qershor 2021


Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës sot ka pranuar një donacion të oksigjeno-koncentratorëve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për zvogëlimin e nevojës së prezencës së bombolave të oksigjenit nëpër dhomat e pacientëve. Zyrtarë të OBSH-ja shprehen optimistë se deri në qershor të vitit të ardhshëm do të vijnë në Kosovë vaksinat e para antiCOVID-19.

Përfaqësuesit e OBSH-së, thanë se është lajm i mirë sot shpërndarja e këtij donacioni, ndërsa kanë bërë thirrje që të respektohen masat në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sergy Koryak nga kjo organizatë, tha se është shumë e rëndësishme të respektohen udhëzimet dhe kufizimet e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kjo pandemi është shumë serioze dhe shkalla e vdekshmërisë është mjaft e lartë. Ai ndërkaq ka bërë të ditur se edhe kur do të vijnë vaksinat e para në Kosovë.

“Përveç masave parandaluese nuk ka asnjë trajtim, akoma nuk ka vaksinë, prandaj duhet të mbështetemi vetëm në masat parandaluese, unë që urrej ta përsëris veten, por ne duhet t’i bartim maskat, të respektojmë higjienën, distancën, ky është mjeti i vetëm që kemi në këtë moment, dhe duhet të veprojmë së bashku për të fituar këtë betejë kundër virusit. Fatkeqësisht, situata është e vështirë dhe nuk është e përkohshme, për fat të keq kjo situatë do të zgjasë për një periudhë mjaft të gjatë kohore. Prognoza më optimiste është që vaksinat e para do të vijnë në Kosovë në qershor të vitit të ardhshëm, kështu që deri atëherë ne duhet të mbrohemi”, tha Koryak.

Ulrika Richardson zyrtare nga UN-ja, theksoi se është një kontribut i madh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për sa i përket oksigjeno-koncentratorëve të cilët janë shumë të nevojshëm, pasi do të shërbejnë për forcuar kapacitetet e spitaleve në të gjithë Kosovën sa i përket trajtimit të pacientëve me COVID-19.

“Është një shtesë shumë e mirë e kapaciteteve të spitaleve, por dua të theksoj edhe një gjë, që edhe pse kjo ndihmë do të forcojë kapacitetet e spitaleve dhe profesionistëve mjekësorë për të trajtuar pacientët me COVID, absolutisht që mënyra më efektive për të luftuar virusin është në bartjen e maskës, mbajtjen e distancës dhe larjen e duarve. Kjo është ajo që të gjithë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë”, tha Richardson.

LEXO EDHE:

Back to top button