Osmani: Është koha e fundit që Evropa t’ia hap dyert Kosovës

Osmani: Është koha e fundit që Evropa t’ia hap dyert Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten ka përsëritur se është koha e fundit që Evropa t’i hap dyert dhe zemrën e saj për popullin e Kosovës, si populli më pro evropian që ekziston.

Në 100-vjetorin e themelimit të lëvizjes Paneuropa në Vjenë, Osmani tha se aspiratat euroatlantike të Kosovës janë të qarta dhe se vendosmëria më e fortë se kurrë.

Sipas saj, sa më shumë ndikim Evropian të ketë në Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ketë stabilitet, demokraci dhe paqe në Evropë.

“Kur flasim për të drejtat e njeriut, është po aq e rëndësishme që të paraqesim padrejtësinë e madhe që po u bëhet qytetarëve të mi me liberalizimin e vizave. Është krejtësisht diskriminuese dhe shkon drejtpërsëdrejti kundër vlerave evropiane të izolosh një komb, në zemër të Evropës, duke i mbajtur peng brenda kontinentit të tyre duke mos dhënë mundësinë për të udhëtuar lirshëm, dhe nuk po flasim për çfarëdo kombi, por për kombi, më pro europian që ekziston. Dhe meqenëse jemi mbledhur sot këtu, në Vjenën e bukur, në zemër të Evropës, dua të shfrytëzoj rastin për të ripërsëritur mesazhin në emër të qytetarëve të mi për të gjitha shtetet anëtare evropiane. Është koha e fundit që Evropa t’i hapë dyert dhe zemrën e saj për evropianët më të rinj, për kosovarët, duke i thënë po liberalizimit të vizave, në këtë kohë vendimtare do të thotë të bëjmë kolektivisht një hap përpara në projektin tonë të përbashkët evropian.

Osmani gjatë qëndrimit në Austri i është drejtuar lëvizjes më të vjetër evropiane për një Evropë të bashkuar politikisht dhe ekonomikisht.

“Dua të përfundoj fjalimin tim me një lutje të fundit për popullin e Ukrainës, si dhe një thirrje për unitet. Në kohë të vështira si këto, ndoshta më e rëndësishme se sfidat me të cilat përballemi është mënyra se si u përgjigjemi atyre. Sado i madh apo i vogël, ne duhet të jemi të bashkuar nga vlerat në të cilat besojmë dhe secili vend të luajë rolin e tij. Ajo që Ukraina po përjeton sot është ajo që vendi im dhe populli im përjetoi pak më shumë se dy dekada më parë. Mund t’ju them se në ato ditë më të errëta, liria, liria është e vetmja gjë për të cilën ëndërroni dhe luftoni, ëndërroni për një vend të sigurt për të fjetur natën, ju ëndërroni për të drejtën për të shkuar në shkollë, ëndërroni të flisni gjuhën tuaj pa frikë nga dhuna, ëndërroni për paqen. Paqja është themeli i çdo gjëje të mirë që vjen më pas… Republika e Kosovës sado e vogël qoftë, ka treguar se populli i saj ka një zemër të madhe dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur në mbështetje të Ukrainës”, ka thënë Osmani.

LEXO EDHE:

Back to top button