Osmani: Luftimi i korrupsionit, prioritet në OSBE

Osmani: Luftimi i korrupsionit, prioritet në OSBE

Gazetare: Fatlume Dervishi

Të gjendet mënyrë se si të kthehet OSBE-ja në terren në Ukrainë dhe të vetëdijesohet rajoni i Ballkanit Perëndimor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do të jenë dy nga prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në gjatë këtij viti. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani thotë se OSBE-ja nuk ka kompetenca për të hetuar krimin dhe korrupsionin por do të veprojë në drejtim tjetër.

“Vlerësojmë se kjo çështje për momentin e preokupon rajonin dhe tani edhe sigurinë e rajonit. Nga këtu, duam të ngremë iniciativa përmes formave dhe instrumenteve të ndryshime diplomatike që i ka OSBE-ja që ta ngremë vetëdijen për luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Nga fundi i vitit, vendi do të duhet të organizojë konferencën më të madhe deri tani, me prezencë të 70 ministrave të vendeve të jashtme. Për këtë nga buxheti janë ndarë rreth 5 milion euro.

Osmani gjithashtu thotë se shpenzimet për shtetin në kuadër të këtij kryesimi do të jenë edhe më të larta. Mes tjerash 6 milion denarë nga buxheti janë ndarë për një agjenci e cila do të ketë për detyrë të krijojë fushata promovuese dhe informuese për vendin, gjatë periudhës 1 vjeçare të kryesimit me OSBE-në.

“Kryesimi me OSBE-në do të jetë shumë më i shtrenjtë se ata 6 milionë denarë megjithatë vlerësojmë se përfitimet nga vetë kryesimi do të jenë shumë më të mëdha se sa shpenzimet. Besoni se ne shpenzime kemi secilën ditë. Ne kemi një mision të madh në Vjenë me mbi 11 njerëz dhe ndoshta secili prej tyre shpenzon aq para në vit për akomodim dhe rroga. Megjithatë ky është investim në të cilin kemi hyrë me vetëdije, është prestigj dhe njohje e madhe për shtetin”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është organizata ndërqeveritare më e madhe rajonale në botë e orientuar drejt sigurisë me status vëzhguesi në Kombet e Bashkuara. Puna e saj përfshin çështje të tilla si kontrolli i armëve, promovimi i të drejtave të njeriut, liria e shtypit dhe zgjedhje të lira. Maqedonia mori kryesimin me OSBE-në zyrtarisht me 1 janar dhe do të jenë në këtë pozitë deri më 31 dhjetor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button