“Pançe Peshev”, drejtorja hedh poshtë akuzat

“Pançe Peshev”, drejtorja hedh poshtë akuzat

Gazetare: Melihate Rustemi

Ushtruesja e detyrës, drejtore e shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë, Sandra Zojçevska ka përgënjeshtruar akuzat ndaj saj se është shkak i anulimit të koncertit të nxënësve shqiptarë të kësaj shkolle dhe diskriminimit në baza etnike. Zojçevska tha për Alsat se për këtë koncert ishte njoftuar një ditë para mbajtjes, përkatësisht më 23 shkurt. Mirëpo, Zojçevska nuk e mohoi se ka qenë e ftuar si mysafire po në këtë koncert.

“Unë nuk kam asnjë kërkesë në letër për mbajtje, organizim ose paraqitje në koncert. Asgjë nuk kam nga kjo në letër. Po e përsëris se isha e befasuar që pa pajtueshmërinë tonë për mbajtje të koncertit, posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijë, kategori e rrezikuar, përgjegjësia është shumë e madhe, ju nuk keni miratim nga shkolla si organizator. Ju, madje keni qenë e ftuar?  Ftesa është diçka tjetër, çdo kush mund të më ftoj në çfarëdo lloj koncerti ose ngjarje”, deklaroi Sandra Zojçevska, u.d drejtore e sh.f “Pançe Peshev”.

Zojçevska tha se në shkollën në fjalë nxënësit trajtohen në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike. Ajo tha se mësimdhënësit shqiptarë nuk janë të stërngarkuar me orë. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për mungesën e vendimeve Zojçevska tha se mësimdhënësit duhet të kenë pesë vjet stazh duke mos pasur aspak njohuri për procedurat ligjore se për pëlqim pune janë të nevojshme dy vjet stazh.

Nuk varet nga shkolla, ka disa kushte që duhet ti plotësojnë që kanë të bëjnë me stazhin që të fitojnë kushtin që të përgatiten ato dokumente, nuk varet nga ne. Sa duhet të kenë stazh? Akoma është pesë vjet, në përpilim e sipër është ligji I ri, akoma nuk është votuar, mendoj se do të ketë ndryshime. Te ne ishte pesë vjet, e ndryshuan në dy që të plotësojnë kushtet megjithatë më duket që akoma qëndron në pesë vjet”, shtoi Sandra Zojçevska, u.d drejtore e sh.f “Pançe Peshev”.

Ditë më parë dhjetëra nxënës shqiptarë të shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë mbetën me instrumente në duar dhe nuk realizuan koncertin me muzikë serioze që duhej të mbahej në Qendrën e Kulturës më 24 shkurt. Sipas prindërve dhe mësimdhënësve shqiptar shkak i anulimit të koncertit është drejtoresha e shkollës e cila, sipas mësimdhënësve, kishte urdhëruar që nxënësit në këtë koncert mos të prezantohen si nxënës të shkollës amë, paralelja në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ata u ankuan se drejtuesja e kësaj shkolle po bën diskrimine të shumta në bazë etnike, madje duke I stërngarkuar me orë mësimdhënësit shqiptar, mungesë kuadri dhe mos dhënie të pëlqimeve për punë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button