Paqëndrueshmëria në Siri sjell frikë tek fqinjët, Assad pretendon se kanë situatën nën kontroll

Paqëndrueshmëria në Siri sjell frikë tek fqinjët, Assad pretendon se kanë situatën nën kontroll

Situata në Siri vazhdon të jetë dinamike dhe e turbullt, veçanërisht në rajonet veriperëndimore, ku ka luftime intensive midis forcave qeveritare siriane dhe grupeve rebele. Informacionet thonë se rebelët kanë arritur të pushtojnë pothuajse plotësisht qytetin e dytë më të madh në Siri, Aleppo dhe nën kontrollin e tyre është edhe Idlibi dhe se aktualisht po përparojnë në vijën e frontit.

Që nga mëngjesi i sotëm ka pasur sulme të ashpra ajrore nga forcat ruse, të cilat bombardojnë pozicionet e islamistëve. Një numër i madh njerëzish u vranë dhe u plagosën nga sulmet ajrore.

Sipas raportimeve, më shumë se 10,000 familje janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të përshkallëzimit të konfliktit. Refugjatët, siç theksojnë dëshmitarët okularë, janë në kushte të vështira, dhe në frikën e sulmeve të reja ajrore.

Unë u largova me fëmijët dhe familjen, bashkë me gjithë këta njerëz për shkak të përshkallëzimit të sulmeve dhe granatimeve. Ne u larguam dhe u shpërngulëm në këtë zonë dhe shpresojmë të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi, dhe Zoti na e bëftë të lehtë për ne dhe këta njerëz. Ne jetuam një jetë tragjike në fshat për shkak të raketave, granatimeve dhe sulmeve ajrore nga aeroplanët në njërën anë dhe dronët nga ana tjetër. Fëmijët tanë ishin të tmerruar, thotë Salma Harba, e zhvendosur nga fshati Taum, në lindje të Idlib .

Sulmet ajrore nga avionët rusë janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ushtrisë siriane për të mbajtur kontrollin mbi territoret e kontrolluara nga rebelët, veçanërisht në Idlib, i cili është bastioni i fundit i madh i opozitës në vend.

Ofensiva e vazhdueshme rebele ka ngritur pyetje të reja politike dhe ushtarake në lidhje me gatishmërinë e ushtrisë siriane dhe aftësinë e saj për t’u marrë me kërcënimin e ri. Presioni ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad tani është edhe më i madh dhe vihet në provë nga fakti se rebelët janë përfshirë në këtë ofensivë në një kohë kur aleatët e Sirisë janë të angazhuar në fronte të tjera.

Po ndjekim lajmet e betejës dhe Zoti le të bjerë regjimi. Po i numërojmë ditët, sepse fëmijët janë të lodhur dhe të tronditur. U nisëm dhe erdhëm këtu me rroba dhe asgjë tjetër. Dashtë Zoti, ne do të fitojmë mbi regjimin e Bashar al-Assad dhe do të kthehemi të sigurt në zonën tonë, thotë Ahmad Mwahid, i zhvendosur nga fshati Sermin, në lindje të Idlib .

Konflikti përkeqëson më tej kushtet për civilët në Siri, të cilët, pas disa vitesh lufte, ende jetojnë në harresë dhe vuajtje.

Sot erdhëm për t’i dhënë një përgjigje urgjente njerëzve që u zhvendosën nga përshkallëzimi i fundit në Aleppo dhe fshatrat e Idlibit. Natyrisht, përgjigja synon t’u sigurojë familjeve një dorë ndihme, pajisje ngrohjeje dhe një shportë ushqimore. Sot, ne ofruam gjithashtu sesione ndërgjegjësimi dhe mbështetje mendore, tha  Mahmoud Hajouli, udhëheqës i ekipit në Mercy Beyond Borders .

Për sa i përket strategjisë së regjimit sirian, sfida më e madhe do të jetë rifitimi i kontrollit mbi rajone të rëndësishme dhe sigurimi që autoriteti i tij të mos dobësohet, duke adresuar njëkohësisht çështjet e mbështetjes së brendshme dhe presioneve globale nga komuniteti ndërkombëtar.

LEXO EDHE:

Back to top button