Parlamenti do të duhet të konstatojë dorëheqjen e kryetares së deritanishme të Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska
Parlamenti do të duhet të konstatojë dorëheqjen e kryetares së deritanishme të Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska
Gazetar: Mihajllo Donev
Nënkryetarja e komisionit të Antikorrupsionit, Biljana Karakashova Shulev, do ta drejtojë këtë institucion derisa në Kuvend të zgjidhet kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Institucioni vazhdon normalisht punën, thonë për Alsat nga Antikorrupsioni.
“Në rast të përfundimit të detyrës ose shkarkimit të kryetarit të Komisionit Shtetëror, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit, pozitën e kryetarit do ta mbajë zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror, me të gjitha detyrat dhe kompetencat që kishte kryetari. Zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është në kompetencën ekskluzive të Kuvendit”, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas ligjit, pasi Kuvendi të konstatojë dorëheqjen e Dimitrovskës, do të ketë afat dhjetëditor për të shpallur konkurs për kreun e ri të komisionit Antikorrupsion. Ish-kryetarja e komisionit, Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqje më 25 korrik, pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti aktakuzë kundër saj në rastin “Aditivët”, që ka të bëjë me blerje të dyshimtë të aditivëve për “TEC Manastiri” me vlerë 6 milionë euro. Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj saj, nën dyshimin se gjatë vitit të kaluar ka dhënë informacione që ishin me interes për drejtorin e atëhershëm të TEC Negotinës, Nebojsha Stojanoviq, gjithashtu i akuzuar në rastin “Aditivët”, të cilat nuk guxonte t’i ndante. Akuza kundër Dimitrovskës shkaktoi reagime të shumta, duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e gjithë organit, përkatësisht pavarësinë në veprimet e tij. Edhe kur u formua përbërja e re e Komisionit kundër korrupsionit, u publikuan foto të disa prej kandidatëve për anëtarë të Antikorrupsionit , të cilët shpërndanin përmbajtje nga aktivitetet e BDI-së në profilet e tyre në rrjetet sociale. Përbërja aktuale e Komisionit kundër korrupsionit filloi punën më 8 shkurt të vitit të kaluar./Alsat.mk








