Parlamenti finlandez voton më 28 shkurt për anëtarësimin në NATO

Parlamenti finlandez voton më 28 shkurt për anëtarësimin në NATO

Parlamenti i Finlandës do të votojë më 28 shkurt për të miratuar legjislacionin e nevojshëm që lejon vendin të anëtarësohet në NATO, tha të premten kreu i komitetit të punëve të jashtme të parlamentit finlandez.

Komiteti sqaroi se edhe pas anëtarësimit të Helsinkit në NATO, importi i armëve bërthamore në Finlandë do të ndalohet. Në konferencën e djeshme të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu pas takimit të tyre, Jens Stoltenberg lavdëroi qeverinë suedeze për dënimin e politikanit të ekstremit të djathtë Rasmus Paludan, i cili dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm, duke zemëruar myslimanët brenda dhe jashtë Turqisë.

“Kjo dëshmon, për mendimin tim, se Suedia dhe Finlanda kuptojnë dhe zbatojnë politika që njohin shqetësimet e Turqisë. Prandaj besoj se tani është koha për ratifikimin”.

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë ratifikuar kërkesën e të dy vendeve për t’u anëtarësuar, me përjashtim të Hungarisë, e cila pritet ta bëjë këtë menjëherë.

Qeveria e Erdogan i konsideron të dy vendet, por veçanërisht Suedinë, se po strehojnë njerëz që kanë lidhje me grupin e armatosur, separatist kurd PKK. Kohët e fundit qeveria turke ka lënë të kuptohet se mund të pranojë anëtarësimin e Finlandës, por jo, në këtë fazë, të Suedisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Stoltenberg, Çavusoglu përsëriti se qeveria e tij do t’i shqyrtojë veçmas kërkesat e dy vendeve. Ndërsa pranoi se Suedia ka bërë përparime në legjislacionin kundër terrorizmit, duke marrë parasysh shqetësimet turke, ai këmbënguli se këto ndryshime nuk zbatohen gjithmonë në praktikë, një referencë ndaj kërkesës së Ankarasë për dëbime masive të aktivistëve kurdë.

Nga ana e tij, Stoltenberg deklaroi se ekziston mundësia që dy vendet nordike të bëhen pjesë e aleancës në të njejtën kohë, por kjo është çështje e qeverisë turke dhe parlamentit turk, duke shtuar se në çdo rast e rëndësishme është që anëtarësimi të vazhdojë së shpejti.

Të mërkurën, ministri finlandez i mbrojtjes Mikko Savola tha se do të ishte më mirë për të gjitha vendet e NATO-s nëse Suedia dhe Finlanda do t’i bashkoheshin aleancës së bashku, sesa të ndara./abcnews.al

LEXO EDHE:

Back to top button